Fikri Mehmeti, sekretar i Alternativës, dega në Gjilan thotë se Drejtoria për Shërbime Publike aspak serioze dhe shumë e papërgjegjshme. “A thua sa herë që bie borë komuna jonë, respektivisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, është e pa përgatitur dhe e nxënë në befasi”.
“Drejtori i Drejtorisë përkatëse, Naser Korça, nuk është duke kryer punën me përgjegjësi e cila kërkohet prej tij, dhe e ka obligim ndaj qytetarëve të komunës. Sa herë që bie borë, rrugët kthehen në arena patinazhi, sepse mungon kujdesi komunal ndaj tyre”, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij, nëse e shohim në nivel vendi, në komunat tjera nuk ka pasur ankesa të shumta sikur që ka pasur nga qytetarët e Gjilanit, madje edhe nga vetë zyrtarë të partisë e cila udhëheq me komunën tonë, të cilët kanë shprehur publikisht indinjatën e tyre lidhur me papërgjegjësinë e Drejtorisë për Shërbime Publike në sezonën e dimrit.
“Drejtoria për Shërbime Publike ka mbetur mbrapa dhe e pa përgatitur për dimrin në të cilin jemi, dhe nëse vazhdon kështu skenarët e njëjta do të jenë edhe muajve e viteve në vijim, deri në përfundim të mandatit, kur edhe presim që qytetarët pakënaqësinë e tyre do ta shprehin edhe me votë, dhe ballafaqimet e tyre me lloçin, borën, pluhurin e shiun nuk do ta harrojnë lehtë”, ka thënë tutje Mehmeti i Alternativës.
“I bëjmë thirrje drejtorit të Drejtorisë për Shërbime Publike Naser Korça, që të tregohet më i përgjegjshëm, dhe ti kurseje qytetarët nga rrezikimi i jetës dhe mjeteve të udhëtimit në rrugët e pa pastruara nga dëbora”, ka thënë Fikri Mehmeti, sekretar i Alternativës, dega në Gjilan.