Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, mori pjesë në takimin e radhës së Komitetit Drejtues për Strategjinë e Sundimit të Ligjit, në të cilin morën pjesë edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministrja e Drejtësisë dhe Ministri i Punëve të Brendshme.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i draftit të Raportit gjashtëmujor për zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit (2021-2026), si dhe prezantimet e anëtarëve të organit koordinues ndërinstitucional të Strategjisë, të cilët kanë paraqitur vlerësimin e zbatimit të aktiviteteve, të arriturat dhe sfidat institucionale, me të cilat po përballet sistemi i drejtësisë, duke theksuar angazhimin për krijimin e një drejtësie efikase, transparente dhe të barabartë me fokus në publikun dhe qasjen e publikut në drejtësi.
Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, tha gjatë prezantimit të tij se, sistemi prokurorial ka punuar në mënyrë sistematike dhe vazhdon të punojë për zbatimin e aktiviteteve që ka të bëjnë me fuqizimin e sundimit të ligjit në vendin tonë dhe se sukseset dhe të arriturat janë të dukshme, duke potencuar para të pranishmëve se KPK-ja ka avancuar proceset e ndryshme, duke marrë për bazë objektivat e parapara me ligj dhe ato që përfshihen në strategjinë sektoriale për sundim të ligjit.
Rrjedhimisht, Kryesuesi Maloku edhe anëtarët e tjerë të Komitetit Drejtues për Sundimin e Ligjit diskutuan edhe për hapat që duhet të ndërmerren për zbatimin e aktiviteteve që tashmë paraqesin sfida, siç janë buxheti dhe kapacitetet njerëzore dhe, gjithashtu, në fokus të diskutimeve ishin zbatimi praktik i strategjisë, rishikimi i Planit të Veprimit të Strategjisë, mbështetja e donatorëve në zbatimin e aktiviteteve të kësaj strategjie dhe zbatimi i standardeve të CEPEJ-it. /2LONLINE/