Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka bërë me dije se shteti ynë nuk ka me çfarë të krenohet për vitin 2016. Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se koalicioni qeverisës PDK – LDK ka dështuar në të gjitha fushat.
Sipas tij, gjatë këtij viti kjo qeveri e ka futur Kosovën në një barrë të madhe. Limaj ka thënë se ekonomia, shëndetësia, arsimi dhe fushat e tjera janë më keq se më parë.
Ndërsa sa i përket pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ai ka thënë se drejtuesit e këtij koalicioni qeverisës me veprime aventureske, shtetit tonë, e kanë ngarkuar me obligime të pamerituara dhe të panevojshme, të cilat, sipas Limajt, do të na kushtojnë shumë në të ardhmen.
Kurse duke folur për rolin e opozitës, ai ka thënë se në këtë vit partitë opozitare, në vend se të merren me ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe fushat e tjera, janë detyruar të merren me parandalimin e implementimit të marrëveshjeve të cilat janë në kundërshtim me interesat e Kosovës, siç ka qenë ajo për asociacionin dhe demarkacionin.
Megjithatë, ai ka thënë se 2016-shi ka qenë i suksesshëm për Nismën për Kosovën dhe, sipas Limajt, e ardhmja e kësaj partie është e fuqishme.
Limaj ka deklaruar se në përgjithësi 2017-shi do të jetë viti i ndryshimeve të mëdha në politikë. Sipas tij, ky vit do të jetë i vështirë si dhe do të sjellë sfida të mëdha për Republikën e Kosovës.
Për më tepër: Epoka e Re