Me kërkesë të 61 deputetëve, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në seancë të jashtëzakonshme, për të votuar në parim Projektligjin nr.07/L-016 për rimëkëmbjen ekonomike – COVID – 19.
Në emër të deputetëve nënshkrues, kryetari i GP të LDK-së, Arben Gashi, arsyetoi thirrjen e kësaj seance, duke e konsideruar miratimin e këtij projektligji të një rëndësie të veçantë.
Përfaqësues të GP të VV-së dhe atij të PDK-së, përkatësisht Hekuran Murati dhe Abelard Tahiri, mbajtën qëndrimet e tyre kundër miratimit të projektligjit, ndërsa më pas fjalën e mori edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Gjatë adresimit të saj, kryeparlamentarja Osmani konfirmoi votën e saj për projektligjin, duke rikujtuar po ashtu se pesë herë e ka dhënë votën pro tij, por, siç tha ajo, jo pse qeveria e ka merituar këtë. Ajo tha se në vend të jepte shembullin e bashkëpunimit me secilin deputet, ekzekutivi ka treguar arrogancë.
Pas diskutimeve, me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin nr.07/L-016 për rimëkëmbjen ekonomike – COVID – 19, duke u hapur rrugë shqyrtimit të tij në komisionet përkatëse parlamentare.