Kryqi i Kuq në Kamenicë në bashkëpunim me bizneset e komunës së Kamenicës u ka dhuruar pako me veshmbathje dhe lodra fëmijëve me nevoja të veçanta, të cilët vijojnë mësimet në shkollat e Kamenicës.
Sekretari i Kryqit të Kuq në Kamenicë, Rexhep Morina, ka falënderuar bizneset të cilat me donacionet që dhuruan arritën që sadopak t’i gëzojnë këta fëmijë.
“Me iniciativën e vullnetarëve ishim te disa biznese të cilët na pritën shumë mirë, dhe na dolën në ndihmë që të sigurojmë nga një pako për këta fëmijë. Faleminderit prej pronarëve të bizneseve: salloni i këpucëve “FOREVER”, “HALITI- SM”, super market “DRILONI”. I falënderojmë nga zemra këta donatorë dhe lutemi për ta që të kenë shëndet e suksese në punë, në familje e në pasuri”, ka thënë ai.
Ndër të tjera Morina ka falënderuar edhe vullnetarët të cilët përgatitën pakot.
“Vullnetarët tanë i falenderoj pasi që përgatitën pakot dhe nuk u lodhën asnjëherë. Po ashtu e falënderojmë edhe mësuesen Rrezarta Dërmaku, e cila na ndihmoj në sigurimin e të dhënave të fëmijëve dhe dorëzimin e pakove”, është shprehur ai. /2LONLINE.com/