Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ka marrë pjesë në zbulimin e pllakës “Shtëpi-Shkollë”, në shtëpinë e familjes së Ibrahim Gashit, si dhe ka vizituar Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët ” Elena Gjika”, shkollën më të vjetër në Kryeqytet.
Gjatë zbulimit të pllakës, kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shprehu mirënjohje dhe falënderim të veçantë për familjen Gashi, për kontributin dhënë arsimit në Kosovë.
Duke e cilësuar Ditën e Mësuesit, 7 Marsin si një profesion të shenjtë për gjithë shqiptarët, por edhe popujt e tjerë, kryeministri Kurti tha se Ibrahim Gashi si rrallë kush, ka dhënë kontribut për arsimin e viteve të ’90-ta. Ai kujtoi se z. Gashi ka ndërruar jetë një vit para shpalljes së pavarësisë, ndërkaq tha se tërë jetën e ka pas për liri, pavarësi e për bashkim.
“Prandaj, ky moment është shumë i veçantë jo veç për familjen e juaj por për të gjithë neve, për të gjithë neve që e kemi njohur, ndërkohë, që të gjithë edhe ata që s’e kanë njohur i gëzojnë sot frytet e kontributit të tij. Prindërit i patëm për shtëpitë shkolla, e fëmijët në shkolla ndjehen si në shtëpi sidomos te në që kemi qenë shumë gjatë nën okupim”, deklaroi kryeministri Kurti.
Në kuadër të aktiviteteve për 7 Marsin, kryeministri Kurti e vazhdoi vizitën e tij edhe në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Elena Gjika”, me ç’rast u shpreh i nderuar të ishte i pranishëm në këtë shkollë, në këtë ditë shumë të veçantë.
“Arsimi, shkolla, është vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin dhe nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë”, tha kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për t’iu dhënë mbështetje mësimdhënësve që t’i kenë kushtet e dinjitetshme të punës e gjithashtu edhe kompensimin e merituar, por në të njëjtën kohë edhe nxënësit nga gjenerata në gjeneratë të jenë më të mirë.
“Pra, progresi tek nxënësit, që është dëshmi e punës së mësimdhënësve dhe përkushtimit të shtetit, është dëshmia më e qartë, më e saktë për atë që na pret në të ardhmen”, tha më tej kreu i Qeverisë i cili për fund ritheksoi mirënjohjen e pafund për gjithë rolin, angazhimin dhe kontributin, për fitoret kryesore drejt së ardhmes që tha se po ndërtohet bashkërisht.
Objekti i shkollës “Elena Gjika”, është ndërtuar në vitin 1927 dhe është objekt i mbrojtur- Trashëgimi Kulturore. /2lonline/