DYLON

Komuna e Gjilanit shënon 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, nderon mësimdhënësit e pensionuar

Komuna e Gjilanit shënon 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, nderon mësimdhënësit e pensionuar
Avatar photo Redaksia

Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, është shënuar të hënën 7 Marsi – Dita e Mësuesit, në ngjarjen ku ka marrë pjesë nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina – Bunjaku, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku, drejtoresha e DKA-së, Selvete Sylejmani, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku – Berdyna, përfaqësues të Policisë e FSK-së, sikurse mësimdhënës e nxënës. Në emër të kryetarit Alban Hyseni, ka folur nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, e cila pasi uroi mësuesit për këtë ditë, ka kujtuar periudhën e rëndë të 90-ta, ku ata mbajtën gjallë arsimin shqip.  

“Në shenjë nderimi, respekti e kujtimi për kontributin e Mësonjëtores së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 Marsi u caktua si Ditë e Mësuesit dhe e shkollës shqipe. Sot kujtojmë vitet e 90-ta kur ju, misionarë të dijës dhe arsimit, nuk u kursyet asnjëherë, mbajtët gjallë arsimin edhe në kushtet më të vështira të mundshme. Mësimdhënësit nuk u zmbrapsën as në kohën e pandemisë e cila e goditi botën, duke gjetur mënyra për ta mbajtur mësimin. Prioritet i kësaj qeverisje është arsimi dhe ne besojmë në ju. Urime Dita e Mësuesit!”, ka thënë nënkryetarja Morina-Bunjaku.

EkoHigjiena

Drejtoresha Komunale e Arsimit, Selvete Sylejmani, ka vlerësuar lartë kontributin e mësuesve në edukimin e shoqërisë.

“Kam nderin që sot t’ju uroj për ditën më të çmuar të mësuesit, ditën nga ku jemi nisur dhe do të ecim seriozisht me misionin me moto ‘Shkolla, vatër e dijes’. Ne sot e kujtojmë rolin e rëndësishëm të mësuesit në edukimin e shoqërisë. Po ashtu, në këtë ditë kujtojmë sakrificën dhe përkushtimin e mësuesve në rrugëtimin e gjatë për përhapjen e dijës, fuqizimin e familjes, përmes arsimimit dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare. Pra, kontributi i mësuesve ka qenë shumëdimensional”, ka thënë Sylejmani.

Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku – Berdyna tha se kjo ditë përpos urimit, është edhe ditë e falënderimit për mësuesit për kontributin, punën e madhe dhe sakrificën e pashoq në arsimimin e brezave të rinj.  

“Sot ne së bashku kujtojmë dhe nderojmë mësimdhënësit tanë të parë që na ndihmuan në hapat tanë drejt arsimimit tonë. Puna e përbashkët drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit patjetër që do të rezultojë e suksesshme. Ministria e Arsimit po punon vazhdimisht në ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësim-nxënie. Sot, kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci po shënjojnë shtëpitë-shkolla në Prishtinë dhe ky aktivitet do të vazhdojë gjatë tërë vitit në shënjimin e të gjitha shtëpive-shkolla në Kosovë, në shenjë mirënjohje për kontributin dhe mbijetesën e arsimit shqip në vitet 90-ta”, ka thënë zëvendësministrja Maloku – Berdyna.  

Në fund, janë dhënë mirënjohje për mësimdhënësit e pensionuar për kontributin nëpër gjenerata, ndërkohë, para të pranishmëve është shfaqur një program i pasur kulturor artistik, i përgatitur nga shkolla e muzikës.

Ndryshe, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku – Berdyna, së bashku me përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit kanë vizituar shkollën “Sadulla Brestovci”, për ta parë nga afër procesin dhe punën e madhe që bëhet aty./2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.