Raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe bashkëpunimi rajonal brenda agjendës së Bashkimit Evropian, ishin në qendër të takimit të sotëm ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.
Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kancelarja Merkel u interesua për programin e qeverisë, vendimet dhe synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e qeverisë për realizimin e planeve për reforma në drejtësi, duke theksuar se në Kosovë tashmë ka një kulturë të re të qeverisjes që udhëhiqet me shembuj.
Ai foli për nevojën për investime në Kosovë dhe synimin e zbatimit të sistemit dual të arsimit sipas modelit gjerman, si një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik.
Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, Procesin e Berlinit, dialogun me Serbinë, situatën në rajon si dhe për rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit rajonal.
Procesi i Berlinit u vlerësua nga kryeminsitri Kurti si mjaftueshëm i gjerë dhe i thellë që të mos ketë variante të tjera alternative.
Duke biseduar mbi gjendjen aktuale të perballjes me pandeminë COVID-19, kancelarja Merkel shprehu gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në sigurimin e më shumë vaksinave.
Duke uruar mbarësi në punë dhe suksese në qeverisje, kancelarja Merkel theksoi se shteti gjerman do të vazhdojë të shfaq kujdes ndaj Kosovës.
Paraprakisht, kryeministri Kurti ishte në drekën e përbashkët me kryeministrat e shteteve të Ballkanit Përendimor, të ftuar nga kancelarja Merkel, ku theksoi stabilitetin institucional në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik dhe demokratik.
Kryeministri Kurti ritheksoi se fondet e Bashkimit Evropian duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së, që janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor: sundimi i ligjit, demokratizimi, përballja me të kaluarën dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave. /2LONLINE.com/