Po e fillojmë këtë shkrim me një anekdotë të dëgjuar më herët që i përshtatet mjaft shumë situatës të cilën po e paraqesim: Kishte dërguar njëri gomarin në treg dhe kur myshterinjtë e pyesin a çon rëndë ky gomar, zotëria përgjigjet me ‘Jo’; a është i fuqishëm gomari, ai thotë prapë ‘Jo’; a kërkon shumë ushqim, ai thotë ‘Po’; a gjuan shqelma, ai thotë ‘Po’. Aty afër, njëri e pyet: O zotëri, a e ke qit gomarin me shit apo çka është puna?! Ai i përgjigjet: Jo nuk e kam qit me shit, po veç po du me ia marrë fytyrën!
Shkruan: Besim Guda – kardiolog
Prandaj shkrimi im nuk ka për qëllim me ia marrë fytyrën askujt, por të tregojmë realisht situatën në të cilën ndodhemi. Në muajin korrik, saktësisht në ditën e 12-të të muajit të këtij viti, udhëheqësia e Spitalit të Përgjithshëm (SP) të Gjilanit nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim me Spitalin e Përgjithshëm të Murska Sobotës nga Sllovenia.
Nga titulli i cekur asgjë nuk do të ishte sensacionale, por një lajm i radhës, madje i dorës së dytë apo të tretë, ngase shoqëria dhe shteti e trajtojnë shëndetësinë në nivel të dorës së tretë, ku një spital i përgjithshëm nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me një spital jashtë Kosovës, që në shumicën e radhës duket të jetë vetëm lajm mediatik, shpesh monoton dhe me fraza tashmë disa herë të dëgjuara, e kurrë i jetësuar, siç ka ndodhur gati gjithherë me ne.
Takimi është organizuar në një nga restorantet e qytetit, i sponsorizuar dhe i përkrahur plotësisht nga projekti KSV/017, që është projekt i Dukeshës së Madhe të Luksemburgut.
Takimin e nderuan me pjesëmarrje ministri i shëndetësisë, kryetari i komunës, zv. kryetari i komunës, drejtori ndërkombëtar i projektit KSV/017, drejtorët e spitalit të Murska Sobotës, drejtorët e spitaleve të përgjithshme në Kosovë, përfaqësuesit e KFOR-it, struktura të tjera të jetës politike dhe shëndetësore në Gjilan, e më gjerë.
Takimi ishte organizuar për mrekulli dhe ekipi menaxherial i spitalit të Gjilanit tregoi performancë të shkëlqyer në avokimin për interesat e SP të Gjilanit.
Në fund, si zakonisht ishte dreka me ‘tavolinë suedeze’ që e përmbyllte takimin. Pas përmbylljes së takimit, me një ligjëratë shumë profesionale, shkencore dhe menaxheriale nga drejtori klinik i SP të Murska Sobotës, dhe pas fjalës përmbyllëse të moderatorit – dorën në zemër ishte në elementet e veta më të mira – dukej se gjithçka do të përfundonte si është më së miri, ashtu siç dimë ne zakonisht të tregojmë vetëm njërën anë të medaljes, atë të organizimit të takimeve në restorante, të ngrënies e pirjes, nganjëherë edhe të muzikës dhe me kaq merr fund gjithçka. Por ne për fund, kishim përgatitur pjesën finale, atë të vizitës në SP të Gjilanit, të ekipit menaxherial nga Sllovenia.
Nga hyrja e spitalit, jepej një pamje relativisht e mirë, e kësaj i kontribuon edhe gjelbërimi në oborr, i cili relativisht mbahet mirë, por letrat e hedhura nëpër çdo cep të oborrit, të japin një shije shumë të keqe. Vizitën e filluam nga reparti i emergjencës, ngase emergjenca është pjesa më vital e secilit spital, aty ku zgjidhen rastet urgjente, më të rënda, e pastaj për rastet selektive ka kohë dhe mundësi të intervenimit.
Vazhduam me repartin e ortopedisë, duke ia lëshuar një palë sy repartit të radiologjisë, kaluam nga trakti operativ dhe krejt në fund vizituam njësinë koronare.
Vizita e kolegëve sllovenë ishte me të vërtetë shumë profesionale, e detajuar, hulumtuese, studimore, e ngadalshme, dhe të themi të drejtën, edhe e lodhshme për ne që jemi mësuar, që edhe qendrat më të mëdha botërore t’i kalojmë për 10 minuta, stil ky i yni, i punës në çdo sektor.
Vizita zgjati mbi një orë dhe në përfundim të saj, morëm opinionin e kolegëve sllovenë, së paku për gjendjen e inventarit, aparaturës, renditjes, si dhe destinacionit të hapësirave për spitalin tonë.
Meqenëse ishte vizitë e partnerëve ndërkombëtarë, jemi mësuar të dëgjojmë lavdërime dhe ishim të gatshëm të dëgjojmë edhe kësaj radhe një elozhe që do të na bëhej neve për spitalin tonë, për mikpritjen e mirë, për gjithçka që ata panë, për një kohë relativisht të shkurtër.
Por kësaj radhe, ndodhi ajo që është dashur të thuhej për shumë vjet me radhë dhe shumë më herët. Kolegët sllovenë ishin shumë të zhgënjyer me atë që panë, fillimisht të zhgënjyer me inventarin dhe aparaturën që e panë, mungesat elementare të aparaturës bazike, pa të cilën ata nuk mund ta mendonin se si mund të punohet; improvizimet shumë të dobëta që kemi bërë në renditjen e hapësirës brendaspitalore, e mos të flasim këtu për mungesat në barna dhe material harxhues, që nuk kishim guxim t’i përmendnim.
Bënë ca foto me të cilat dëshironin të dokumentonin atë që kishin parë. Na bënë me dije se kemi ngecje shumë të mëdha. Në pyetjen tonë, thjesht nga kureshtja, se a keni qenë më mirë ju në vitet e ’80-ta të shekullit të kaluar, apo ne sot, u shprehën se ata kanë qenë më mirë që nga vitet e ’70-ta të atij shekulli.
Pastaj na treguan dhe na dhanë një numër të konsiderueshëm informatash të rëndësishme për spitalin e tyre, rrugën se si kishin arritur deri më sot. Letërnjoftimi i spitalit të tyre është mbresëlënës, edhe pse për kah madhësia, territori dhe numri i banorëve që mbulojnë është i përafërt me SP të Gjilanit.
Në logjikë vlen parimi se dy gjëra mund të krahasohen nëse kanë së paku dy pika të përbashkëta. Duke u nisur nga kjo premisë, menduam fillimisht që edhe ne të bëjmë një krahasim por na doli se “kishim bërë llogarinë pa hanxhiun“.
Ja krahasimi: SP i Murska Sobotës ka 1030 të punësuar, ne kemi 544 të punësuar; SP i Murska Sobotës ka 550 infermierë /e, ne kemi rreth 340 infermierë/e; SP i Murska Sobotës ka rreth 85 mjekë/e, ne kemi rreth 114 specialistë/e; SP i Murska Sobotës ka rreth 350 shtretër, ne kemi rreth 370 shtretër;
Dhe për fund, pyetja e paevitueshme rreth buxhetit. SP i Murska Sobotës ka një buxhet vjetor prej 54 .000.000 EU , ndërsa ne kemi një buxhet vjetor rreth 5.100.000 EU.
D.m.th ata kanë një buxhet 1000% më të lartë se buxheti ynë. Pas gjithë kësaj i bëj pyetje vetes, kolegëve, miqve, njerëzve të vullnetit të mirë, të gjithëve pa dallim, a do koment kjo situatë?!