Ka shkuar në 12 numri i sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, që mbahen prej 21-30 qershor në kryeqytetin e Bjellorusisë.
Sot janë konfirmuar edhe tre boksierët: Shpëtim Bajoku, kategoria deri në 64 kilogramë, Patriot Behrami (-69 kg) dhe Ardit Delijaj (-81 kg).
Nga sporti i boksit është edhe Donjeta Sadiku, e konfirmuar muaj më parë me ftesë.Më së shumti sportistë nga Kosova në Minsk do të ketë xhudoja, gjithsej pesë: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka e Akil Gjakova, të cilët janë kualifikuar me normë, ndërsa me ftesë janë edhe Alvin Karaqi (karate), Fatih Karabaxhaku (pingpong) dhe Ardita Zejnullahu (shigjetari).