Konfederata e Industrive të Shqipërisë – Konfindustria ka shprehur shqetësimin për vazhdimësinë e moslejimit nga ana e Serbisë të vënies në punë të linjës 400kw të ndërlidhjes së energjisë elektrike Shqipëri-Kosovë, duke i dhënë natyrë të qartë të një lufte të pandershme tregtare dhe ekonomike. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të shqyrtojnë me shpejtësi marrjen e masave kundërvepruese ndaj Serbisë, lidhur me heshtjen e mësipërme.
Ja komunikata e plotë:
Konfindustria shpreh shqetësimin për vazhdimësinë e moslejimit nga ana e Serbisë të vënies në punë të linjës 400kw të ndërlidhjes së energjisë elektrike Shqipëri-Kosovë, duke i dhënë natyrë të qartë të një lufte të pandershme tregtare dhe ekonomike. Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të shqyrtojnë me shpejtësi marrjen e masave kundërvepruese ndaj Serbisë, lidhur me heshtjen e mësipërme.
Konfindustria vlerëson, se masat kundërpërgjigjëse mund të jenë të tipit tregtar dhe ligjor, duke patur parasysh dëmin financiar, që bllokimi i paarsyeshëm nga Serbia e vënies në punë të linjës 400kw i shkakton të dy vendeve tona. Shqipëria dhe Kosova importojnë nga Serbia prodhime me vlerë deri 500 milion euro/vit. Traktatet ndërkombëtare parashikojnë marrjen e masave ndëshkuese si kundërpërgjigje ndaj politikave ekonomike dhe tregtare të pandershme të një vendi.
Investimi për linjën 400 KW ka kushtuar mbi 75 milion euro të kredituara nga banka gjermane KFW. Mosvënia në pune jo vetëm i shkakton një dëm financiar prej miliona euro/vit, rrezikon sigurinë energjetike te Shqipërisë dhe Kosovës, si edhe pamundëson , krijimin e Tregut Rajonal te Energjisë.
Njëkohësisht, qëndrimi i Serbisë për linjën e energjisë Shqipëri-Kosovë ka edhe natyrë të qartë kundërshtuese politike ndaj procesit të krijimit të Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor të kërkuar nga BE në Takimet e Berlinit dhe Triestes.
Gjergj Buxhuku
Administrator i Përgjithshëm