Politika është art i veçantë i të vepruarit, por gjithsesi i lidhur pashmangshëm me personalitetin e bartësit që e ushtron.
Nga: Arbër Ismajli
Ajo kërkon njerëz me virtyte të larta njerëzore, parimor, të ndërgjegjshëm, me përgaditje profesionale si dhe të suksesshëm në fusha të ndryshme të jetës. Pra aty ku materializohet dija dhe ndërgjegja e lartë e veprimit.
Politikbërësit vijnë nga fushat e tyre të sukseseve personale dhe duke e ndier nevojën qytetari për ato kategori të njerëzve me vlera dhe suksese, i përzgjedhë ata për vende të caktuara politike, qoftë komunale apo nacionale.
Në rastin tonë, në këto 20 vjet lirie, jo rrallë herë kemi punësuar në të gjitha nivelet deputet, ministra, këshilltar komunal pa asnjë ditë përvojë pune apo përgatitje të duhur profesionale.
Koha e reformave të shumanshme është më se e domosdoshme! Për të ndërtuar fuqishëm logjikën e politikëbërjes me njerëz të përgjegjshëm, me figura të etabluara dhe të dëshmuara. Me njerëz që e duan vendin e zhvilluar e të begatshëm.
Imponimi i njerëzve pa vlera të domosdoshme për politikbërjen, është i dëmshëm për shtetin dhe politikën pragmatike e cila i duhet vendit tonë.
Po dëshmohet për keqardhje se ata që sot bashkëqeverisin me Republikën e Kosovës, dje ishin të pa punë dhe krejt e natyrshme që e kanë vështirë me gjet vetën në qeverisje të mirë, në politikbërje të suksesshme.
Politikani i suksesshëm është ai i cili merr përgjegjësi, jep llogari dhe gjithashtu, pranon edhe konsekuencat në rast se nuk i përmbush obligimet që dalin nga zgjedhja e tij në funksion të caktuar.
Prandaj në këto zgjedhje të partisë së LDK-së, me të drejtë po kërkohet që të zgjidhen ata që janë dëshmuar dje, dhe janë shembuj për sot e nesër. Njerëz të dëshmuar për punë në dobi të mirëqenies së qytetarëve tanë.
Suksese të gjithë garuesve, për pozita udhëheqëse, për marrje të përgjegjësisë për punë dhe avancime të proceseve demokratike dhe ekonomike.
Bashkë dhe me suksese të reja!