Ditën e sotme kur është bërë betimi i përbërjes së re të Kuvendit Komunal të Gjilanit, pjesë e të cilës përbërje janë edhe dy anëtarët e Kuvendit nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), e ka përshëndetur edhe Vana Jerliu – Ramadani, anëtare e kryesisë qendrore të AKR-së dhe e degës në Gjilan, duke e vlerësuar si një ditë të rëndësishme për qytetarët, për institucionet e qytetit të Gjilanit, për gjithë këshilltarët e Kuvendit Komunal dhe udhëheqjen në katër vitet ardhshme.
“Sot, në konstituimin e Kuvendit komunal të Gjilanit, krahas gjithë këshilltarëve tjerë, dhanë betimin edhe këshilltarët tanë nga Aleanca Kosova e Re, Dega Gjilan, Vjollca Gagica-Matoshi dhe Shemsedin Ramushi. Këtë betim e dhanë edhe para qytetarëve të Gjilanit, gjatë fushatës zgjedhore, se do të punojmë dhe do t’u shërbejmë qytetarëve të Gjilanit, duke marrë përsipër peshën e përgjegjësive ndaj votuesve dhe qytetarëve tanë”, ka thënë Vana Jerliu – Ramadani.
Ajo shtoi se në cilësinë e anëtares së kryesisë qendrore të AKR-së, i uron qytetarët e Gjilanit dhe gjithë këshilltarët e Kuvendit, e posaçërisht anëtarët nga AKR-ja, për detyrën e shenjët të mandatit katër vjeçar në shërbim të qytetarëve të Gjilanit.
“Urime dhe suksese të mëtejshme për Vjollcën dhe Shemsedinin, AKR-ja Dega në Gjilan do të jetë në mbështetje të vazhdueshme për kandidatët tanë në këtë mandat”, ka thënë Vana Jerliu – Ramadani.