Stalking është ngacmim i pandërprerë, neurotik dhe obsesiv ndaj një personi ose grupi që nuk e dëshirojnë këtë. Obsesion që shoqërohet me ngacmime, kërcënime dhe ndjekje apo ngjitje virtuale ose të drejtpërdrejt ndaj viktimës.
Reis Mirdita
Kontakti i padëshiruar virtual apo i drejtpërdrejt, zakonisht në mes dy personave nga të cilët njëra palë kërcënon ose vë në pozitë frike e gjendje tmerri tjetrën palë, konsiderohet stalking dhe tërheq pasoja ligjore.
Stalkeri ndjek viktimën vazhdueshëm për disa arsye të tijat: dashuri, hakmarrje, grabitje e përdhunim seksual…
Të gjitha studimet e gjertanishme janë të drejtuara mbi psikologjinë e stalkerit dhe dëmet që i shkakton viktimës. Mungesë trashanike, sepse askund nuk flitet për stalking karriges! As psikiatër, as psikologë, as sociologë, as filozofë…, askush nuk trajtoi ose së paku tentoi të sqaroj e diagnostikoj këtë sëmundje trunore e mos të flasim për mundësitë e shërimit, nëse shërim ka.
Stalkerat e karriges janë njerëz me nam; ata shtyhen me premtime e vetlëvdata, me fjalë e me bërryla, me ndërkëmbëza si ato në futboll e me grushte… Flitet besa se në fillimet e paraqitjes së sëmundjes para ca 15 – 20 vjetësh, e luanin edhe gishtin për ta çelë udhën drejt ulëses.
Vërej gjatë kohë se edhe kur ulen në karike, ata nuk shërohen! Ata vazhdojnë ngacmimet pa asnjë ngadalësim apo relaksim së paku sa për frymëmarrje të lirë. Presion njerëzve por stalkojnë ulësen. Sikur ajo të mundej të ngrinte padi!??? Po humanët që nuk janë stalkera pse flejnë? Mos vallë nga frika se po ju ndërpritet byreku ditëve kur të ketë votime?
Vij në përfundim,se stalkerat e vërtetë do të quhen në psikiatri si grup i ri me emrin politikstalker ose ende më përpiktë, karrigestalker, kurse sëmundja karrigestalking.