Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport , sot ka vazhduar me aktivitetet e organizuara për manifestimin “Ditët e Diasporës 2021”.
Gjatë ditës është bërë edhe hapja e bibliotekës së qytetit, pas renovimit të saj.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se rregullimi i bibliotekës së qytetit është edhe një tjetër premtim i mbajtur nga qeverisja e tij.
“Premtimi tjetër i mbajtur është rregullimi i bibliotekës së qytetit. Me pamje, inventar dhe tituj të ri, sot gëzuam të gjithë lexuesit e komunës sonë pa dallime në moshë. Falënderoj drejtorin Arianit Ibrahimin për angazhimin dhe gjithë stafin e DKRS-së për punën. Ne vazhdojmë me projekte të mira, përherë në të mirën e qytetarëve!”, tha Kastrati.
I lumtur me hapjen e bibliotekës së re u shpreh edhe drejtori i DKRS-së, Arianit Ibrahimi.
“Jam shumë i lumtur që sot hapëm bibliotekën e komunës sonë me një pamje krejtësisht të re. Tani me një numër të madh të titujve të librave i presim të gjithë të vizitojnë bibliotekën”, shtoi ai.
Gjithashtu, pas hapjes së bibliotekës u bë edhe promovimi i dy librave, “Pikturë me fjalë” i autorës Lumnije Berisha, si dhe “Lejla dhe Yjet” i autorës Sadbere Biçku.
Ndërsa për të gjithë adhuruesit e dokumentareve, nga ora 21:00 ka filluar të shfaqet në Parkun e Shtëpisë së Kulturës dokumentari ” 77 vjetori i Betejës së Kikës”. /2LONLINE.com/