Ese-ja që fitoi Çmimin e tretë në Konkursin përkushtues për Heroin e Kombit, Idriz Seferin
Fatmir MINGULI
KALORËSI QË MUNGOI NË VLORË
Ishte pikërisht mëngjesi i 27 nëntorit të vitit 2012, kur po pija kafen e zakonshme në Bar “Ruhiu” buzë detit, kur para meje kaluan kalorës të veshur me rrobat tona kombëtare e të gjithë me plisat e bardhë në kokë. U ngrita vetëvetiu dhe i përshëndeta ata gjashtë burra dhe një grua mes tyre dhe ata më përshëndetën e vazhduan rrugën.
Ishin kosovarët që shkonin në Vlorë sipas itinerarit që bënë njëqint vjet më parë, kalorësit e lirisë. Ata ikën dhe brenda meje mbeti tronditja, ata largoheshin teksa këmbët e kuajve lageshin nga uji i detit dhe duke u larguar siluetat e tyre ngadalë po mbuloheshin nga një tis i hollë mëngjesor dhe dukeshin vetëm plisat e bardhë që lëkundeshin sipas trokthit të kuajve… Ç’qe kjo skenë e magjishme, ç’qe kjo dorë e e çuditshme që më solli këta kalorës një ditë para festës së madhe? Tek kaluan ashtu të menduar mu duk sikur i njihja, sikur i kisha parë diku, po sikur nuk ishin të gjithë!
Çaste më vonë mendimet e mia u kthjelluan dhe mjegulla e bregdetit filloi të rrallohej dhe mendja ime depërtonte në Motin e lavdishëm të shqiptarëve. Dhe historia erdhi e plotë para meje dhe atëhere u kujtova se kalorësit që mungonin ishin dy shqiptarë të mëdhej, Hasan Prishtina dhe kalorësi ushtarak Idriz Seferi.
Ndërsa për intelektualin Hasan Prishtina kisha shumë dijeni për legjendën Idriz Seferi komentet ishin të pakta, thjeshtë unë nuk e njihja mirë këtë hero. Edhe pse ishte gjithmonë midis Isa Buletinit dhe Hasan Prishtinës, ai ishte kalorës i madh. Ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë trimi Idriz Seferi ndodhej brenda mureve të burgut në Prishtinë dhe nj`kohësisht ishte edhe në udhëtimin e madh drejt qytetit të Vlorës, ishte aty në ballkonin e shtëpisë së Beqir Beut duke proklamuar deklaratën e pavarësisë.
Idriz Seferi lindi në Sefer të Karadakut dhe mendimet e mija shkojnë në fshatin tim të origjinës, në Bregdetin e Jugut, ku në lagjen “Karadak” jeton i gjithë fisi im, në fshatin e Kakomesë, Nivicë- Bubar. Paralelet ekzistojnë, kapedanë e trima kanë dalë nga Bregdeti i Jugut, kalorës stratiotë që e kanë luftuar turkun gjer në fund. Por le të kthehem te Idriz Seferi. Është “Kalorësi i Karadakut” shkruan shkrimtari Ibrahim Kadriu në romanin kushtuar Idriz Seferit. Edhe Petër Bartl në një libër të tij mbi kryengritjet e shqipatrëve në periudhën 1878-1912 e cilëson Idriz Seferin “prijësin e 5000 luftëtarëve shqiptarë” në betejën e famshme të Kaçanikut, kur gjithsej në këtë betejë ishin 10000 trima shqiptarë. 5000 luftëtarë në
“Betejën e Termopoleve”, siç e konsiderojnë tashmë betejën e Kaçanikut.
Kalorësia e Idriz Seferit është proverbiale e kur mëson se në fshatin Lukë u mblodhën 12 fise shqiptare të Kosovës për të vendour luftën e përbashkët kundër turkut, a nuk të shkon mendja te dymbëdhjetë kalorësit e mbretit Artur?! Kalorësia e Idriz Seferit u shfaq edhe në diplomacinë e tij ushtarake dhe sociale. Në një tubim me popullin në Preshevë ai jep verdiktin më të pazakonshëm: “ Ligjet e Kanunit po i dona me pyet kur jena në paqe. Por kur shkjau na mësyn në vatra, na duhet me ndigjue më së pari Shqipninë e rrezikueme.”
Dhe me diplomacinë e tij vazhdon të pajtojë hasmëritë midi fiseve dhe familjeve në dobi të lirisë e n` luftë kundër të dy pushtuesve, turkut e serbit. Prandaj ai u bë kalorësi i lavdishëm i trojeve kosovare se emri i lirisë dhe emri i Idriz Seferit ishin komplemtarë midi tyre. Ishte kalorësi që mungoi në Vlorë por ç’kuptim kishte burgu për një hero të tillë, për kalorësin që inspiroi ngritjen e flamurit me luftëra e me diplomaci.
Turqit i burgosën trupin dhe jo shpirtin dhe as mendjen e ushtarakut famëmadh. Rri dhe shikoj skulpturën e bronxtë të Idriz Seferit të Odise Paskalit, tek qëndron aty në Prishtinë, shoh fytyrën dhe trupin dhe gjithçka është në harmoni me përmasa kreshnikësh, solide dhe rrezatuese. Por, mungon plisi i bardhë…por s’ka gjë, poeti gjilanas Nexhat Rexha e ka thënë bukur për këtë kalorës: “Plisi i maleve të Kosovës” , në nj` poezi të tij. Idriz Seferi, kalorësi i legjendës shqiptare nuk mungoi në Vlorë!
Kalorësi i Plisit të Bardhë është kudo!
Shifra: Amfiteatri 46