DYLON

Odise Plaku: Mesazhet universale ku metrat katrorë bëhen hapësira

Odise Plaku: Mesazhet universale ku metrat katrorë bëhen hapësira
Avatar photo Redaksia

Vështrim poetik për vëllimin “ Kronika e erës” të autores Suzana Malaj

Arti i fjalës është i pafundmë dhe secili artist e përthyen realitetin sipas këndvështrimit e botës së vet. Poeti poezinë e shkruan se e ka nevojë të brendshme për ta nxjerrë jashtë vetes, për të lehtësuar veten e për të ndier kënaqësi nga lindja e krijesës së vet prej fjale.

Autorja, Suzana Malaj është një person nga ata që quhen tashmë të shqetësuarit e kohës sonë brenda e jashtë vendit. Ka njohuritë e duhura filozofike e të adresuara saktësisht sidomos për personalitet që iu referohet. Këto janë cilësi esenciale të poezive të saj meditative- filozofike, përveç tematikës së gjerë e figurave aludive të veçanta, teknikës stilistike të mbështetur mbi monologë e dialogë me të cilat ndërton ligjërimet e saj poetike e i drejtohet shpesh marrësit në vetën e dytë- ti, ku veta në njëjës përfaqëson një tipizim, dukuri mbi të cilin ndalet për të përcjellë mesazhin e filozofinë e saj të të kuptuarit të botës e të të jetuarit të jetës. Ka një stil të shkruari tërësisht origjinal dhe veçanërisht tërheqës. Shpesh poezia e Suzanës shfaqet diskrete, me gjuhë të sofistikuar e gjithashtu me nëntekste të shumta. Ka një natyrshmëri në perceptim e ligjërim që shtjellohet nga vargu i parë në atë të fundit në një unitet formal e përmbajtjesor të admirueshëm.

EkoHigjiena

Në qendër të poezisë ka gjithnjë një fabul, një gjendje, një pikënisje, diçka që intrigon dhe prek shqisat e mendjen. Kjo është një veçori që e bën poezinë e saj ta lexosh e rilexosh e të emocionohesh vetvetiu pasi emocioni rri i fshehur e i strukur në fjalë e tinguj të harmonizuar ku organizimi ritmik e tingullor krijon efekte të forta. Simboli, metafora e alegoria janë të preferuarat e saj dhe do të flasë me gjuhën e tyre, duke lënë vend për interpretime vetjake që i lihet lexuesit ta bëjë, përmes ballafaqimit të perceptimit të vet me përvojën e perceptimin e autores.

Ka shprehje që të mbeten në mendje a thua janë idioma apo thënie proverbiale që e bëjnë poezinë e saj të këndshme për tu lexuar e dëgjuar.

Për hir të së vërtetës ka poezi që janë në kërkim të lexuesit elitar. Duket sikur poezitë e Suzanës, të përziera me emocionet e prodhuara nga përjetimet e brendshme, për esencë dhe erëz kanë mendimin…Stili është retorik dhe duket se Suzana zotëron artin e te ndikuarit përmes fjalës. Dhe fjala duket se ka fjetur gjatë me autoren për t’ú zgjuar fuqishëm e për të trokitur tek lexuesit si trokitja e një rrebeshi. Në ligjërimin poetik të autores rroken çështje që kanë të bëjnë me gjuhën,kombin,mitet:

“Gjumi hipnotik i një populli” e trajton zgjimin e vlerave kombëtare nën një vështrim krejt unik.

Ajo u drejtohet teknikave frojdiane, hipnozës për të shëruar plagët e pakuptueshme të inferioritetit të kësaj race te lashtë e bujare. Ndërton kronikën e erës për të folur me fjalë ere e për të përcjellë nëntekste të fuqishme që nuk janë fjalë ere…Sjell figurën autentike të lisit duke kërkuar rrënjët e lashta të gjuhës pellazge. Vazhdon udhëtimin me muzën e vet dhe shkon larg në fisin e vjetër indian të Resë së Kuqe për të ballafaquar primitiven me qytetërimin ndërkohë që këto të fundit ndërrojnë vendet…

E bën mëkatin të ecë mbi një fill të hollë litari për ta bërë shpirtin njerëzor të sprovojë veten duke kuptuar një ekzistencë që është mirë të shkojë drejt shpirtërores pa u përbaltur me tokësoren fizike e materiale. Përçon gati një dramë njerëzore që shtjellohet tek “bipolaritet” e në fund befason me këndvështrimin. Një satirë të magjishme do e quaja unë poezinë me të njëjtin titull, në të cilën ballafaqohet njeriu me botën nën një vështrim ekzistencialist në të cilin jeta përcillet në metaforën e kupës me helm që gjithsesi shijon…

I referohet Sokratit të botës antike për të sjellë hijen e dyshimit që shoqëron njeriun bashkëkohor dhe tretet në dilemat e tij përmes një gjuhe që intrigon. Duhet theksuar se poezitë në dukje pesimiste ruajnë në nëntekst një frymë optimiste që asnjëherë nuk e humbet kuptimin. Ndërton paralelizma e kontraste të forta dhe emocion po aq fort me tablo e gjendje që i vizaton me fjalë, shpesh me tonet e errëta të grisë që çelet përmes domethënies e mesazhit të rëndësishëm e transparent. Figura e zogut me krahë të thyer që rrëshqet piramidës është një figurë stilistike e veçantë teksa dhe vetë piramida përfaqëson ndoshta hierarkinë shoqërore dhe hierarkinë e vlerave që jo gjithnjë shkojnë krah për krah.

Dallohet për mesazhet universale ku metrat katrorë bëhen hapësira dhe përshëndetjet e humanëve-alarme me kode mirësjelljeje. Ndalet tek sytë njerëzorë e sheh në misterin e tyre ndërtimin e shkatërrimin..E trajton mitin në aktualitet për të zbërthyer poetikisht mitet e sotme të gjalla… Gjendja dilematike shoqërohet me asociacione abstrakte siç është kufizimi njerëzor në botën -ide të pafundme. Ballafaqon dritën me hijen e mbërrin në funeralin e Hamletit të ri, në habitate artificiale të zhbëra nga mungesa e vlerave të qëndrueshme… Unë do e quaja një vëllim poetik që duhet lexuar në mënyrë aktive siç duhet të jetë leximi i vërtetë që mbetet.

Suksese Suzana!

Odise Plaku
Shkrimtar

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.