(‘You cannot escape responsibility of tomorrow by evading it today’) ABRAHAM Lincoln – President i XVI i SHBA-ve.
SHBA-ve Kosova në prag të dhjetëvjetorit të mëvetësisë së saj, siç po shihet do të ballafaqohet me një tërmet politiko-social. Ne si popull shqiptar, po ashtu si ballkanas jemi të mësuar për situata të jashtëzakonshme. Këto ndjenja na përcjellin gati prej zanafillës sonë si popull dhe prej kohës që proklamohet thënia e mirënjohur shqiptare ‘zoti tha me gojën e vet që Shqipëria do të bëhet’.
Shkruan: Flurim Arifi
Shqipëria (lexo. Kosova) u bë, shtet sovran, i pavarur, demokratik, i prosperuar etj. Mirëpo, këtu është problemi esencial i vetëdijes socio-politike të popullit dhe politikë-bërësve shqiptarë, në dy anët e kufirit.
Në shekullin e fundit, në rruzullin tokësor nuk ka asnjë shtet që në fakt është i pavarur, sovran në kuptimin e fjalës, padyshim që mos të keqkuptohemi shtetet janë ‘sovrane dhe të pavarura’ por në shumicën e rasteve nuk vendosin për sigurinë dhe financat e shteteve të tyre, e që në termet juridiko-politike i bie që dejuro je shtet por defacto nuk vendos gati për asgjë serioze, shembulli më i mirë i këtij fakti është Unioni Evropian.
Për me qenë edhe ma i qartë, faktori ndërkombëtar neve si shtete të vogla, nuk na shohin si partner serioz, as në perspektivën financiare e as në sferën e sigurisë globale, prandaj nuk duhet që ta mashtrojmë vetën duke menduar që jemi epiqendra e njerizimit, kjo vlen për gjitha shtete ballkanase. Pasi që ta kuptojmë këtë gjë, problemet do të fillojnë të marrin drejtimin e drejt dhe të duhur drejt zgjidhjes së tyre.
Ne si popull e kemi një ‘krekosje’ apo ‘krenari’, ‘kokëfortësie’ edhe në fund një lloj ‘xhelozie’ të pa shpjeguar. Jemi idhëtar për të krijuar situata të jashtëzakonshme në çdo moment, duke filluar nga gjërat më elementare, si p.sh. duke filluar për vend-parkime (jam i sigurt që të gjithë jemi përballë me këtë budallallëk), një ulëse në kafe barin tonë etj. Duke u nisur nga këto të meta të popullit tonë, pa dyshim që edhe disa politikanë tanë, nacional apo lokal nuk mund të veprojnë apo të reagojnë ndryshe nga veset e popullit të tij.
Ne, të gjithë jemi dëshmitar, se në çfarë tensioni politik kemi qenë para dhe pas luftës. Kjo histori e rasteve tona ku kemi jetuar nën presion socio-politik dhe ekonomik nuk ka fund, dhe po na përcjell ende fatkeqësisht edhe në këtë kohë edhe pas bërjes së një dekade si shtet i pavarur dhe sovran. Por le të kthehemi tek tensioni i fundit, më i njohuri dhe më enigmatik i shteti tonë, Gjykata Speciale.
Një gjë duhet që të sqarohet, të gjithë ata që i gëzohen themelimit të Gjykatës Speciale, e që në parim do të merret kryekëput me pjesën më të lavdishme të historisë sonë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për mu personalisht ose nuk janë të vetëdijshëm ose janë shpirtligë për dëmin që do ta shkaktoj ky proces, në arenën ndërkombëtare për shtetin e Kosovës.
Duke u pajtuar me faktin që themelimi dhe nisja e punës së kësaj Gjykate, ka përfunduar dhe nuk ka asnjë veprim të mundshëm politik, lokal që do të mundet me ndalu këtë proces, e që besoj që shumica pajtohemi, që është një e padrejtë e madhe për shtetin dhe popullin tonë. Ky fakt do të na ndihmonte shumë neve si popull dhe si të zgjedhur tanë që të kemi një qëndrim objektiv në relacion me procesin e Gjykatës Speciale.
Kështu që kjo odiseja e përplasjes me faktorin ndërkombëtar në fund do të shpërfaqet si veprim i panevojshëm dhe i rrezikshëm për shtetin dhe aleancën tonë që me aq vështirësi e kemi ndërtuar si popull. Shqetësimi i grupeve, individëve është i drejtë, i kuptueshëm dhe i natyrshëm. Por në historinë e njerizimit është dëshmuar që ‘ideja gjithmonë fiton mbi individin’ . Prandaj nëse nisemi nga ky parim dhe nga parimi i pastërtisë së veprimeve tona si individ apo si grupacione në një kohë të caktuar, procesi do të shkojë shumë më qetë, më natyrshëm, më objektivisht dhe padyshim që do të ketë edhe mirëkuptim më të madh nga opinioni i gjerë për gjitha shqetësimet e mundshme që ndërlidhen me procesin e Gjykatës Speciale.
Pasi që të pajtohemi me faktin që jemi popull i vogël, mbijetues, gjysmë i/e shkolluar, dhe në bërje e sipër të një shteti të vogël në mes të një vendi të trazuar e të quajtur Ballkan, ne do të fillojmë që ti kuptojmë drejtë problemet tona. Fakt- populli shqiptar është pro amerikan, ky nocion nuk donë shpjegim të mëtejshëm, prandaj çdo tentim apo çdo veprim që nuk është në koordinim me SHBA-të nga kushdo qoftë nuk do të merr përkrahjen e popullit shqiptar.
Prandaj pasi që të pajtohemi me këtë fakt, të zgjedhurit tanë duhet që të shtojnë vëmendjen dhe kujdesin që të gjitha veprimet që i kanë ndërmarr apo planifikojnë që në të ardhmen t’i ndërmarrin duhet që të jenë në pajtueshmëri 100% me aleatin tonë kryesor Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, bërja e marrëveshjeve apo mos-marrëveshjeve në mes miqve bëhen duke biseduar, duke shpjeguar pikat e përbashkëta apo pikat ndarëse. Por komunikimi kurrsesi nuk bëhet përmes hollëve të Kuvendit apo përmes portaleve, apo televizioneve nga kushdo që vijnë ato.
Këto veprime kanë krijuar paqartësi dhe pasiguri, kështu që fjalori politik duhet që të mbetet në korniza bashkëpunuese, por në të njëjtën kohë duke respektuar qëndrimet e palëve. Kështu që unë dhe shumica e opinionit të gjerë beson dhe pret që të zgjedhurit tanë të sillen si burrështetas të vërtetë, pasi që ata kanë ditur të sillen si të tillë edhe në kohëra shumë më të vështira se sot, përndryshe historia nuk do t’i fal.
Unë kam besim tek shteti im!