Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se vendimi i qeverisë për masa shtesë kundër pandemisë, ishte i pa menduar mirë dhe i dëmshëm për bizneset.
“Vendimet që merren prej zyrave të qeverisë, pa e parë dhe analizuar gjendjen në terren, gjithmonë janë të dëmshme për bizneset”, ka thënë Ismajli në seancën e sotme të Kuvendit Komunal.
Sipas tij, Komuna ka ndërmarrë masa lehtësuese që janë në kompetencë të saj, siç ishte lirimi nga pagesa e qirasë, ndërkohë po shikohet mundësia që kjo masë të vazhdohet edhe për disa muaj.
Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme të radhës, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar raportin financiar janar-shtator 2020, i cili nga pozita u vlerësua jashtëzakonisht i mirë, derisa nga opozita u cilësua raport i mangët dhe jo sqarues sa duhet.
Drejtoresha e Buxhetit, Meral Sadriu Vokshi tha se të hyrat janë realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë parasysh gjendjen e pandemisë që ka mbretëruar në këtë periudhë, ndërkohë Ilmi Limani, zyrtar i Lartë Financiar, dha sqarime shtesë në pyetjet, vërejtjet dhe interesimet e ngritura nga këshilltarët Nevzad Isufi, Isa Agushi, Avdyl Aliu, Krenare Latifi, Erlehta Osmani, Burim Berisha, Hevzi Xhelili, Arijeta Rexhepi, Imrane Thaçi, Shefik Surdulli, Shemsedin Ramushi e Shemsedin Elezi.
Njëherësh Kuvendi miratoi vendimin për formimin e Grupit punues për hartimin e Planit të punës të Kuvendit për vitin 2021, vendimin për modifikimin e atributeve të titullarit të pronave komunale dhe regjistrimin e tyre me emërtimin ligjor, iniciativën për themelimin e Muzeut Etnografik në Gjilan, vendimin për emërimin e Komisionit Komunal të Aksionarëve në KRM “Ecohigjiena” si dhe vendimin për binjakëzimin e Komunës së Gjilanit me Komunën e Kumanovës.
Në pjesën e pyetjeve dhe përgjigjeve, këshilltarët komunalë ngritën interesime rreth menaxhimit të pandemisë (Xhevat Demiri), hapjes së paraleleve shtesë në Mjekësi (Nevzat Isufi), problemin e pronësisë së disa familjeve në lagjen Arbëria, të cilëve tokat u figurojnë në emër të kooperativës bujqësore, (Arijeta Rexhepi), për deponitë ilegale (Arianit Sadiku), mungesën e ambulancës në Zabel (Festa Shabani), lirimin nga puna të grave shtatzëna, sepse janë të rrezikuara nga pandemia (Arta Nuhiu), kompensimin e bizneseve që nuk janë lejuar të punojnë gjatë kësaj fundjave (Isa Agushi), zbatimin e vendimit për korrigjimin dhe plotësimin e emërtimeve (Shefik Surdulli) dhe të tjera.
Sa i përket vendimit të Kuvendit për plotësimin dhe korrigjimin e emërtimeve, Ismajli sqaroi se është dashur një koordinim me kompaninë e cila merret me këto proces dhe tani ka filluar zbatimi në terren i vendimit.
Ndërkaq, Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal tha se në rastin e grave shtatzëna, vendimi i qeverisë është i qartë.
Sipas këtij vendimi, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna lirohen nga paraqitja në punë dhe punëdhënësit udhëzohen të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre online nga shtëpia, ka sqaruar Kurteshi.
Në lidhje me problemin e disa familjeve në lagjen Arbëria me pronësinë e parcelave, ku ata i kanë të ndërtuara prej vitesh shtëpitë, ndërsa figurojnë në emër të kooperativës bujqësore, drejtori i Kadastrës, Sali Fazliu sqaroi se bëhet fjalë për disa prona që administrohen nga AKP-ja dhe banuesit në këtë vendbanim joformal kanë dy mundësi – një procedurë gjyqësor për njohjen e të drejtës së pronësisë, ose t`i drejtohen AKP-së për t`i blerë, që besoj se do të ofrohen me një çmim simbolik, pasi që fjala është për shfrytëzues të kahershëm.
Kurse sa i përket hapjes së paraleleve shtesë në Mjekësi, që nuk ishin paraparë me konkurs, si dhe punës së shkollave në kushtet e pandemisë, drejtori i Arsimit, Nazim Gagica tha se Komuna nuk ka mandat të hap paralele të reja, por për këtë vendos MASHT-i, ndërkohë që shtoi se të gjitha shkollat e këtushme janë të pajisura me dezinfektues dhe dezinfektohen si dhe dezinfektohen nga stafi teknik çdo ditë. /2LONLINE.com/