Është përmbyllur manifestimi kulturor “Flaka e Janarit 2019″ me Festivalin e Muzikës Popullore “Fest Flaka 2019”. Në këtë festival kanë performuar këngëtarë mysafirë dhe 13 këngë konkurruese, dhe në mesin e konkurruesve çmimin e parë e fitoi këngëtari Sokol Latifi, me këngën “Zëri i Atdheut”.
Shkruan: Rina AHMETI
Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, i cili është mbajt për herë të 28-të në Gjilan, dëshmoi një traditë të begatshme kulturore e festive që Gjilani e ka treguar gjithmonë.
Arti, kultura, muzika, sporti janë karakteristikat ideale që personifikojnë një qytet të kulturuar, edukuar e emancipuar dhe kjo tashmë ka krijuar identitetin e kryeqendrës së Anamoravës.
Përgjatë 1 muaji qyteti gumëzhiu nga artistët, shkrimtarët, regjisorët, aktorët e kultura mbarëkombëtare, duke mbledhur elitën e krijuesve shqiptarë dhe jo vetëm në një qytet të vogël, por simpatik të Kosovës.
Gjilani ka treguar pjekuri edhe duke kujtuar e nderuar figurat historike kombëtare të kulturës, historisë, artit, e politikës.
Gjilani këtë vit nderoi kolosin e madh nga Gjilani, Mulla Idriz Gjilani, për të vazhduar më pas me veprën e Presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova.
Padyshim, që qershia mbi tortë e këtij festivali ka qenë edhe “Talia e Flakës”, që edhe këtë vit ishte e larmishme e solli risi me pesë shfaqje teatrale.
E kur jemi te ‘Talia e Flakës” nuk ka sesi të mos e përmendim publikun, artdashësit gjilanas që çdo natë ishin dekori më i bukur i Teatrit të Qytetit në Gjilan. 1480 ishte numri i ulëseve në dispozicion, por ky numër nuk mjaftoi për spektatorin gjilanas, të cilët për pesë net me radhë nuk i zuri as salla e teatrit dhe shumë prej tyre mbetën jashtë.
Kjo është edhe vula e idesë që publiku gjilanas dhe dashuria për teatrin, dramën shqipe e shfaqjet bashkëjeton me vet ata.
Kjo traditë lakmuese dhe sa e bukur aq edhe sfiduese i atribuohet Kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri , i cili bashkë me ekipën e tij, të rinjtë kreativë, grupën teatrore dhe gjithë organizatorët e tjerë nuk zhgënjejnë asnjëherë.
“Flaka e Janarit” dhe besoj që i gjithë qyteti i Gjilanit e din vlerën dhe meritorin, prandaj për 28 vite me radhë është ky manifestim ai që tërheq vëmendjen e mbarë vendit dhe rikthen edhe njëherë shkëlqimin dhe artin mbarëkombëtar në Gjilan.
Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve, artistëve, që me krijimet e tyre artistike, muzikore e letrare begatuan ‘Flakën tonë’. Faleminderit Kryetarit të Komunës së Gjilani Lutfi Hazirit, mbi të gjitha faleminderit gjilanas, ju qytetarë të kulturuar, artdashës dhe mikpritës.
Ju jeni krenaria e qytetit tim, identiteti shembullor i krijuar ndër breza.