DYLON

Komunat me sfidat e njëjta në digjitalizim, Thaçi: Ka vullnet dhe mundësi për ndryshim nga niveli qendror e lokal

Komunat me sfidat e njëjta në digjitalizim, Thaçi: Ka vullnet dhe mundësi për ndryshim nga niveli qendror e lokal
Avatar photo Redaksia

Komunat e Kosovës zakonisht përballen me sfidat e njëjta në procesin e digjitalizimit, mirëpo ato kanë filluar të kenë qasje progresive për t’i pranuar këto sfida, raporton Ekonomia Online. Koordinimi ndërmjet nivelit lokal dhe qendror për proceset e digjitalizimit, promovimi i shërbimeve digjitale te qytetarët, aftësitë digjitale të zyrtarëve dhe siguria kibernetike, mbesin sfidat më të mëdha të tyre.

Kështu u tha në prezantimin e hulumtimit “Observimi i Implementimit të Agjendës Digjitale në Nivelin Lokal në Kosovë”, nga Open Data Kosovo, hulumtim i bazuar në shtatë komuna: Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Rahovec dhe Ferizaj.

EkoHigjiena

Blerta Thaçi, drejtoresha ekzekutive e Open Data Kosovo, ka theksuar se suksesi i digjitalizimit, i cili është më i dukshëm në disa fusha kyçe, kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet nivelit lokal dhe qendror, si dhe qytetarëve, OJQ-ve e mediave.

Ajo ka theksuar se komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës kanë bërë hapa të rëndësishëm në procesin e digjitalizimit.

“Ne si organizatë punojmë jashtëzakonisht shumë në digjitalizimin dhe të dhënat digjitale. Kemi pasur bashkëpunime të ndryshme në nivelin qendror dhe e kemi parë shumë të nevojshme që të kalojmë edhe në nivelin lokal”.

“Në këtë hulumtim, nuk jemi fokusuar vetëm në institucionet publike, por edhe te akterët e tjerë që bashkëpunojnë me komuna, si shoqëria civile e grupet rinore. Komunat zakonisht përballen me sfidat e njëjta në digjitalizim dhe shihet se ka vullnet për t’i pranuar këto sfida. Komunat e kanë një qasje progresive në këtë aspekt, pyetja nuk është më ‘a mundemi’, por ‘si mundemi’. Është kuptuar se me digjitalizim, efikasiteti do të jetë shumë pozitiv”.

“Prezantimi i platformës së përbashkët elektronike, E-Komunat në kuadër të platformës më të gjerë E-Kosova paraqet një mundësi të re për të unifikuar qasjen në shërbimet komunale. Sfidat e përbashkëta nga komunat janë koordinimi mes nivelit lokal dhe qendror për proceset e digjitalizimit, promovimi i shërbimeve digjitale te qytetarët, aftësitë digjitale të zyrtarëve dhe siguria kibernetike”.

Thaçi ka theksuar se komunat partnere të projektit po kalojnë në një transformim digjital të rëndësishëm, i cili siç tha ajo, sjell mundësi dhe sfida të reja.

“Mundësia për të transformuar shërbimet publike është veçanërisht e dukshme në disa fusha kyçe. Sidoqoftë, suksesi i këtij procesi kërkon bashkëpunim të ngushtë mes nivelit lokal dhe qendror, si dhe qytetarëve, OJQ-ve e mediave”, ka thënë ajo.

Ndërsa ka folur për komunat veç e veç, Thaçi ka thënë se komuna e Prishtinës, duke qenë edhe kryeqytet, ka më së shumti mundësi për digjitalizim. Ajo ka theksuar se Prishtina dhe Gjakova kanë bërë hapa të rëndësishëm në digjitalizimin e arsimit, shërbimeve online dhe projekte të qytetit SMART.

Komuna e Gjilanit ka hasur në më shumë sfida në nismat e transformimit digjital krahasuar me komunat e tjera.

“Edhe pse shoqëria civile dhe qeveria lokale e kupton rëndësinë e digjitalizimit, mungesa e kapacitetit dhe strukturës ka penguar këtë proces”, ka thënë ajo.

Për më tepër shih:

BURIMI Ekonomia Online

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.