Idriz Seferi – Kreshniku i Karadakut, njëri ndër udhëheqësit më të shquar shqiptar të luftërave çlirimtare kundër pushtuesve turq, serbë e bullgarë, gjatë dekadave të fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe dekadave të para të shekullit njëzet, i cili ka treguar aftësi të veçanta organizative, trimëri e mençuri, i ka frymëzuar shumë krijues të fushave të ndryshme të artit.
Këtij personaliteti i janë kushtuar shumë këngë, vepra të artit pamor etj.
Sinan SADIKU
Edhe poetët kanë thurë vargje të shumta kushtuar figurës së Idriz Seferit. Numri i poezive kushtuar kësaj figure atdhetare është i madh dhe me poezitë e përzgjedhura mund të kompletohet një libër i mirë. Këtë herë nuk e kam në plan të merrem me të gjitha poezitë që i janë kushtuar Kreshnikut të Karadakut , do t`i analizoj vetëm disa prej tyre .
Po filloj me poezinë “1912-ta”, me nëntitull Idriz Seferit, të autorit Ibrahim Kadriu e cila është botuar në vitin e largët 1972, në kuadër të librit “Diçka po ndodh”. Shprehja më e përdorur në këtë poezi është emri gur, që në poezinë shqipe në përgjithësi është simbol i qëndresës, ndërsa në këtë poezi përveç qëndresës na e sjellë ndërmend edhe reliefin e Karadakut e më gjerë, ku ka lindë, është rritë, ka vepruar dhe ka luftuar heroi ynë.
Për ta konkretizuar këtë po e japim strofën e parë të poezisë:
Në gur emri yt, vetëm në gur
Gjen strehim më të mirë të qëndresës;
Në gur emri yt, vetëm në gur
Mund të flasë legjendën e gjakut dhe të fortesës.
Pra, autori, emrin, figurën e heroit e lidhë me gurin, me truallin , ku e ka zhvilluar qëndresën dhe është shndërruar në legjendë të heroizmit dhe të atdhetarisë, por ku i ka përjetuar edhe dhembjet për ripushtimin dhe ndarjen atdheut siç na thonë vargjet: Në emrin tënd që vetëm në gur/Flet më së miri për dhembjet tua.
Pastaj vjen vargu: Në gur fjala jote, vetëm në gur. Me të cilin fillon pjesa e dytë e poezisë,(nëse për qëllime analitike na lejohet ta ndajmë në tri pjesë) në të cilën pjesë i këndohet fjalës, gjuhës së heroit. Dihet që Idriz Seferi ka pasur aftësi të veçantë që përmes fjalës t`i arrijë disa nga qëllimet e tij siç kanë qenë pajtimi i njerëzve, bindja e tyre për t`i falur gjaqet, pastaj bindja për t`iu bashkëngjitë luftës çlirimtare etj, duke dëshmuar kështu urtësi e humanizëm. Andaj ia vlen t`i lexojmë vargjet: E të flasim me gjuhën tënde,/Të urtët kurrë s’do të ndjejnë lodhje.
Shprehjet kanë më shumë kuptime dhe ajo që e shkrova më lartë është vetëm një pjesë e tyre, ndërsa pjesa më e rëndësime ka të bëjë me gjuhën e heroit , gjuhën shqipe së cilës i këndon me dashuri poeti, e për mbrojtjen dhe përdorimin e së cilës ka luftuar heroi.
Poezia përfundon me pjesën e tretë:
Në gur pesha jote, në gur.
E të ecim me hapat e tu,
Toka ledhatohet për kremte,
Anadolli merr arratinë për në fundosje
Bjeshkët e zeza thërrasin beharin.
Të ecësh me hapat e heroit do të thotë të luftosh për liri. Nëse poezinë e analizojmë në lidhje me kohën e botimit, vitin 1972, kur gjërat nuk kanë mundur të thuhen hapur, pra kur të analizohen teksti dhe konteksti, shohim se autori ka dëshmuar guxim krijues. Anadolli këtu është simbol i pushtuesit.
Derisa poezia e Ibrahim Kadriut përmes simbolit të gurit, duke e përsëritur vargun e parë në disa variante dhe duke e lidhur në pjesën e parë të poezisë me emrin, në pjesën e dytë me fjalën dhe në pjesën e tretë me peshën e heroit, më së shumti e ka potencuar qëndresën, heroizmin, poezia e Nehas Sopajt, të cilën do ta analizojmë në vazhdim, është një bashkëbisedim i autorit me heroin, është një lirikë refleksive me shumë pyetje e dilema.
Poezia titullohet “E po ç`të bësh Idriz Seferi”. Këtë poezi të bukur autori e ka shkruar në kohën kur ishte gjimnazist i vitit të dytë, ndërsa i është botuar për herë të parë në vitin 1972, kur ishte 18 vjeçar.
Titulli i poezisë është një fjali pyetëse e cila si varg përsëritet edhe pesë herë të tjera, duke ushtruar ndikim të theksuar si në anën sematike ashtu edhe në rrjedhën ritmike të sajë. Vet fakti që poeti ka zgjedhur të bashkëbisedojë me heroin, t`i bëjë pyetje, t`i rrëfehet flet për atë se sa shumë e ka çmuar, sa shumë e ka vlerësuar dhe sa shumë i ka besuar kësaj figure atdhetare edhe pse në kohën kur është shkruar poezia kishin kaluar disa dekada nga shkuarja e tij në amshim.
Poezia është një lirikë refleksive me shumë pyetje e dilema, siç është vet jeta, siç janë ngjarjet, e kaluara, e veçmas e tashmja; një lirikë e shkruar me frymëzim e përkushtim e cila të bënë për vete, falë gjuhës së përsosur poetike, rrjedhës së këndshme ritmike dhe shprehjes së natyrshme e të sinqertë të ndjenjave njerëzore. Sa i përket figurës së Idriz Seferit, me rëndësi janë vargjet:
Para gjashtëdhjetë vjetësh ti puthe
çdo pëllëmbë të Karadakut dhe Kosovës, Idriz Seferi.
Ti kishe vetëm një trup dhe një ëndërr
ç’të bësh, në ëndrrën tënde farkohej liria,
dhe rritej Karadaku i kuq me një diell të lulëzuar.
Dhe, një hënë prej purpuri. Ç’të bësh.
E po, ç’të bësh Idriz Seferi, ç’të bësh.
Edhe poeti Mirko Gashi në poezinë “Ura e Maskatarit” përmes figurës së Idriz Seferit, përmes bëmave dhe emrit të tij, ka synuar ta zgjojë krenarinë kombëtare, ta rritë gatishmërinë për t`i dalë zot atdheut. Poezia është një lirikë e mirëfilltë patriotike, një lirikë interesante që frymëzon , nxitë dhe trimëron të rroken armët e të luftohet për liri. Për temën të cilën jemi duke e trajtuar me interes është strofa e fundit:
Në bebëzat
e të parëve të mi
u zgjua e bardha agmi
pushka krisi
u mboll lisi
u zhduk terri
lëshoi kushtrimin
Idriz Seferi.
Në vijim do t`i them disa fjalë për dy poezi të Sabit Rrustemit, për poezitë “Dita kur e çliruam Shkupin” dhe “Kodi i kohërave”. Në të paren, me mjetet e poezisë jepet biseda midis Idriz Seferit dhe Isa Boletinit, plani i tyre për çlirimin e Shkupit, ndarja e detyrave, çlirimi i tij, vendosja e rendit etj.
Autori me pak fjalë të zgjedhura, në pika të përgjithshme, e përshkruan atë ngjarje të rëndësishme historike, të cilën e planifikuan dhe realizuan komandantët Idriz Seferi e Isa Boletini, pa i lënë anash edhe zhvillimet e tjera të cilat e pamundësuan realizimin e ëndrrës së shqiptarëve, që ishte krijimi i Shqipërisë në territoret e banuara me shumicë shqiptare, pjesë e të cilave ishte edhe Shkupi, atëherë kryeqytet i Vilajetit të Kosovës. Poezia është e ndarë në tri pjesë.
Në pjesën e parë komandantët janë te Guri i Zi, prej nga e shikojnë qytetin për çlirimin e të cilit tashmë kishin vendosur:
Po shihet si n`shuplakë,
Tha Idriz Seferi
Nesër do ta kemi në grusht.
Po hyj Unë i pari
Kërceu Isë Boletini!
E Ti, qitja rrethin, m`loma shpinën
Se k`to shtigje ma mirë i di
Kjo bisedë lakonike midis dy komandantëve, plani i tyre për ta çliruar Shkupin, është materializuar përmes një shprehjeje të kursyer eliptike, shprehje kjo që i shkon personalitetit të tyre fjalëpakë e punë shumë.
Në pjesën e dytë flitet për qytetin e çliruar, për sjelljen e civilizuar të çlirimtarëve, vendosjen e rendit… Këtë e thonë vargjet:
Xhama nuk thyem, plaçkë nuk bëmë.
As shami prishëm se ishim ushtri.
Sjellja e tillë civilizuese bëri që Kancelaritë e Kombeve të habitur të deklarojnë: Nuk qenkan hajdutë!/Ushtri e re plisbardhësh. Vargu i fundit i kësaj pjesë: Pritja e tepruar na qëlloi në Thembër, shpreh bindjen e poetit se vonesat e politikanëve dhe të diplomatëve shqiptarë ndikuan që çlirimi i Shkupit të mbetej vetëm një episod i shkurtër në historinë tonë.
Pjesa e tretë fillon me vargjet: Dita kur e kthyem Shkupin/ E martë qëlloi, mortja e marrtë! Këto vargje në një formë të modifikuar i gjejmë edhe në fillim të pjesës së dytë të poezisë. Siç e dimë, sipas besëtytnive, e marta është ditë kobzezë dhe disa punë nuk bënë të kryhen në atë ditë.
Çlirimi i Shkupit ishte realizuar pikërisht ditën e martë. Ky varg mund të interpretohet edhe në atë mënyrë se çlirimi është bërë në kohë të papërshtatshme. Kështu mendojnë edhe disa historianë. Dihet si janë zhvilluar ngjarjet më tutje. Poezia përfundon me vargjet enigmë: Sekush na la pa Shkup/ Ende s`e morëm vesh!
Derisa në poezinë të cilën sapo e analizuam poeti na rikthen në kohë, e konstrukton një ngjarje të rëndësishme historike, duke na e dhënë atmosferën e gjallë, bisedat, synimet, shpresat e dy figurave të mëdha që e realizuan atë, në poezinë në vijim të titulluar “Kodi i Kohërave” ai përmes imagjinatës poetike flet me heroin, e njofton atë me shumë sjellje, dukuri, veprime dhe mosveprime të dëmshme të cilat janë të pranishme në jetën tonë, të cilat kanë sjellë ngecje e disfata.
Këtu nuk ka dialog, por monolog, flet vetëm poeti i cili heroit ia shprehë brengat, pakënaqësitë me zhvillimet brenda kombit. Sa i përket lexuesit, poezia është një kritikë e mprehtë ndaj realitetit në të cilin jetojmë, e për të cilin fajtor jemi vet ne.
Kjo poezi ndryshon shumë nga e para sa i përket mënyrës së krijimit të vargjeve, ritmit, muzikalitetit , figuracionit, shprehjes emocionale etj. Është një model krejtësisht tjetër që flet për mundësitë e shumta krijuese të autorit. Sa i përket ndërtimit të vargut, ritmit, rimës poezia është tradicionale, e ndarë në katër strofa me nga katër vargje me rimë aa, bb, që tingëllon bukur. Derisa te e para dominonte elementi epik, e dyta është lirikë e pastër. Vargjet:
Për përtëritjen e farës sonë lypset kodi yt
Gjysma e një Shqipërie na ngeli në fyt
E shprehin faktin se sa shumë e çmon autori heroin, kodi i të cilit na duhet për ta përtërirë farën. Kodi këtu e ka kuptimin e vetive të çmuara siç janë: atdhedashuria, guximi, mençuria, morali dhe humanizmi, veti këto që e kanë karakterizuar figurën e Idriz Seferit dhe të cilat na nevojiten edhe tani edhe përherë, por të cilat nuk i kemi, siç e thonë dy vargjet e para të poezisë:
Kohëra të palavdishme këndej po vijnë
Rrënjëve të moçme kopila po mbijnë
Poezia është përplot gjetje interesante, me vargje që tingëllojnë bukur dhe që mbeten gjatë në kujtesë. Është fund e krye kritikë ndaj realitetit në të cilin ndodhemi si komb. Për ilustrim po shërbehem me vargun: Gjysma e një Shqipërie na ngeli në fyt, ose Po as me jetërat tona Një Shqipëri s’e bëmë.
Në vijim do t`i them disa fjalë për poezinë “Guri n`gurë heu Kaçanik”, me nëntitull Rapsodi për Idriz Seferin, të autorit Xheladin Rexhepi. Dihet rapsoditë u këndohen bëmave dhe trimërive të kreshnikëve. Atë frymë, pra, frymën e rapsodisë e ka poezia në fjalë, në të cilën përveç gurit si simbol i qëndresës dhe fortësisë i ndeshim edhe simbolet: e Argusit mitologjik i cili i kishte 100 sy, 50 prej të cilëve gjithnjë i mbante hapur, Anteut, simbol i lidhjes me vendin e vet, me tokën, me atdheun prej të cilit e merrte fuqinë dhe e bëhej i pamposhtur.
Në poezi, përmes simboleve të gurit, Argusit, Anteut, Idriz Seferi paraqitet bash si Kreshnik i Karadakut, ndërsa Termopilet e përngjashmojnë Betejën e Kaçanikut me Betejën e njohur të Termopileve. Veç tjerash pikturohen edhe veshjet e heroit, shoka prej ylberi dhe tirqit e zinj, duke na e përkujtuar pamjen fizike të tij. Për ta qartësuar poezinë do të shërbehen me vargjet në vijim:
Seferi me shokën prej ylberi
Shtrëngon plagët-gjak të dheut
Me gajtanët e zinj të tirqve
Dredh flamurin
Gurë n’at shpat, gurë n’kët shpat
Qeleshebardhët lak e gjak
Shihet që dy vargjet e fundit janë krijuar sipas frymës dhe modelit të poezisë popullore dhe si të tilla ia shtojnë lezetin poezisë.
Poezinë për Idriz Seferin Nexhat Rexha e ka titulluar “Plis i maleve”. Një titull ky që e shpreh madhështinë e atdhetarit, të cilit i është kushtuar, atdhetarit që ëndërronte Flakën e ditës në diell, ringjallte guximin përmes krismës, ruante gjurmët e plisit e të fisit. Në vargjet në vijim pasqyrohet trimëria, gatishmëria e përhershme për mbrojtje , veti kjo që e posedonte Kreshniku i Karadakut:
Edhe kur bënte acar
Ti me gjakun dardan
Ringjalle guximin përmes krismës
Maleve të Karadakut, Kikës, Kaçanikut
Në vargjet e mëposhtme:
Shkupi i dridhjeve të gjata
Ruan me nostalgji mallin për Ty
Autori na kthen në kohën tonë, kur Shkupi e ruan me nostalgji mallin për atdhetarin i cili e çliroi, sepse: Liria peng mbeti në Shkup/ O Idriz Seferi. Në poezi, përveç, si luftëtar trim, Seferi portretizohet edhe si mikpritës dhe si shëmbëlltyrë për gjenerata e gjenerata. Këtë e thonë vargjet në vijim:
Stinëve që rrodhën
Krismë e ndërgjegje për ne mbete
E Plis i Maleve të Kosovës
Përmes figurave të zgjedhura me kujdes është pikturuar portreti i veçantë i Idriz Seferit, duke e dëshmuar kështu edhe përkushtimin krijues të poetit, përkushtim ky që ka sjell vlera.
Poezia e fundit të cilën do ta analizoj është e Bilall Maliqit dhe titullohet “Erdha tek ti”. Për nevoja të analizës poezinë mund ta ndajmë në dy pjesë të barabarta të cilat përbëhen nga tri strofa dyvargëshe. Në pjesën e parë autori shkruan për bëmat e Idriz Seferit, për betejat e kuqe si (lule)gjaku , duke e përmend edhe Grykën e Kaçanikut, vendin ku e ka zhvilluar njërën ndër betejat më të rëndësishme. Kjo pjesë përfundon me dyvargëshin:
Erdha tek ti, për një trohë trimëri
Me të bëmat e kohës së ikur
Në pjesën e dytë, sikurse te poezia e Sabit Rrustemit “Kodi i kohërave”, autori përmes imagjinatës poetike flet me heroin, i qahet atij për shumë ngjarje e procese me të cilat nuk është i kënaqur, të cilat nuk janë zhvilluar ashtu siç kanë dashur, ashtu siç kanë pritur edhe njëri e edhe tjetri. Heroi njoftohet me lajme jo të mira siç janë: krrokatja e korbave, thithja e gjakut nga hienat, për lirinë e mbetur peng, për guximin e mërguar etj. Poezia përfundon me distikun:
Në mes të trekëndëshit banon vetmia
Heshtjeve tona ecim si hije o Idriz Seferi
Shumica e poezive që u analizuan dhe shumë të tjera janë shkruar viteve të fundit. Kjo tregon se figura e Idriz Seferit vazhdon ta ngacmojë imagjinatën krijuese të poetëve edhe gati një shekull pas shkuarjes në amshim, tregon se Kreshniku i Karadakut i ka mbijetuar kohës.