15 prilli i vitit 1999 mbahet në mend si njëra ndër ditët më të lavdishme të historisë tonë, në të cilën, për çlirimin e vendit nga okupatori serb, UÇK-ja u përball me makinerinë e fuqishme okupuese të Serbisë, me që rast në fushën e betejës ranë dëshmor bijtë dhe bijat ndër më të mirët e këtij vendi si Albani, Pajaziti, Tefiku, Kastrioti, Sahiti, vëllezërit Baftiu dhe intelektualja e atdhetarja e shquar Hanëmshahe Abdullahu.
Shkruan: Ismajl KURTESHI
Me rastin e 21 vjetorit të Epopesë së Zhegocit, në pamundësi që dëshmorët t’i përkujtojmë në vendin ku ata ranë, po i përkujtojmë me këtë shkrim përkujtimor.
Me këtë rast do ta veçoj dëshmoren e kombit Hanëmshahe Abdullahun, për faktin se është dëshmorja e vetme e Zonës Operative të Karadakut, në mesin e shumë djemve trima të kësaj Zone, që u flijuan për Kosovën.
Gërshetim i mençurisë dhe guximit
Hanëmshahen, gjilanasit dhe bashkëveprimtarët e saj e kanë njohur si njërën nga intelektualet e shquara të kohës, që përveç angazhimit të saj në fushën e arsimit, preokupim e kishte edhe zgjidhjen e fatit të atdheut të robëruare.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta, kur shihej se lufta e nxitur nga Serbia ishte e pa evitueshme, zgjidhja e ngatërresave brenda shqiptarëve ishte pjesë e rëndësishme e përgatitjeve për përballje me Serbinë. Në aksionin e faljes së gjaqeve, të udhëhequr nga profesor Anton Çetta, në të cilën morën pjesë shumë intelektualë shqiptarë, mori pjesë edhe atdhetarja dhe intelektualja Hanëmshahe Abdullahu.
Vitet nëntëdhjeta të shekullit të kaluar Serbia me në krye Millosheviqin kishte filluar ta realizonte projektet shoviniste e ekspansioniste të Akademisë serbe, që kishin për qëllim asimilimin ose dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta përmes dhunës sistematike shtetërore.
Realizimin e këtyre projekteve padyshim se e pengonte shkolla shqipe. Prandaj mbyllja e shkollës shqipe shihej si kusht për realizimin e qëllimeve të errëta të politikës serbe.
Në këtë situatë të rënd për shkollën shqipe, bashkë me shumë atdhetarë e punëtorë të arsimit edhe Hanëmshahe Abdullahu bashkë me shokun e saj të jetës e idealit Tefik Zymberin, u vunë në mbrojtje të shkollës shqipe. Hanëmshahja si pedagoge dhe atdhetare e dalluar u emërua drejtoreshë e Shkollës fillore “Rexhep Elmazi” në Gjilan. Me Hanëmshahen drejtoreshë, kjo shkollë, përveç rolit të saj primar, që shërbente si vatër e diturisë, u bë edhe qendër e aktiviteteve të ndryshme atdhetare. Hanëmshahja përveç si drejtoreshë, nuk hezitonte të merrte për sipër edhe detyra tjera, në interes të vendit edhe pse këto aktivitete rrezikonin jetën e bartësve të tyre.
Në fund të vitit 1998 dhe fillim të vitit 1999 kur në Kosovë kishin ardhur monitoruesit e OSBE-së. Hanëmshahja bashkë me gra të tjera aktiviste ranë në kontakt me një monitoruesen suedeze, që i lidhi me organizatën e grave suedeze “Gruaja për gruan”, për mes të cilws e njoftonin opinionin ndërkombëtar për terrorin shtetëror të Serbisë mbi qytetarët shqiptar të Kosovës.
Në vitin 1998 një organizatë humanitare nga Gjermania, me të cilën ishte e lidhur Hanëmshahja dhe disa aktivist politik nga Gjilani, kishte dërguar ndihma humanitare. Për ndihma kishte shumë nevojë Zona Operative e Karadakut, por për t’ia dërguar ndihmat ZOK-ut duhej ndihma e një drejtori shkolle që me nënshkrimin e tij/saj dëshmonte se i ka pranuar ndihmat. Këtë dokument e nënshkroi drejtoresha Hanëmshahe, e cila jo vetëm se e nënshkroi këtë dokument por e morri përsipër që personalisht t’i dërgojë ndihmat në Shtabin e Zonës Operative të Karadakut, të UÇK-së.
Hanëmshahja, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e ndihmoi edhe me angazhim të drejtpërdrejt. Komandanti i Zonës së Karadakut, Hanëmshahen e emëroi përgjegjëse për informim. Hanëmshahja e kreu këtë detyrë, bashkë me disa veprimtarë të tjerë, deri në ditën kur ra dëshmore, në përballje me forcat e armikut, në betejën e Zhegocit.
Hanëmshahja pas vetes, përveç vajzës Diellës dhe djalit Atdheut, la edhe një veprimtari kolosale intelektuale dhe atdhetare. Ajo la pas vetes një emër që kurrë nuk do të harrohet, ajo ishte dhe mbeti shembull, se si duhet të angazhohemi dhe sakrifikohemi për atdheun.
Lavdi Dëshmores së Kombit Hanëmshahe Abdullahut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!