DYLON

Politizimi i pandemisë nga virusët politik!

Politizimi i pandemisë nga virusët politik!
Avatar photo Redaksia

Dështimi i seancës së djeshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Koosvës ndodhi për dy arsye; për shkak të mungesës së deputetëve të LVV-së dhe për shkak të tërheqjes së PDK-së nga propozimi i saj për pakon emergjente.

Shkruan: Florim Zeqa

Siq dihet seanca e Kuvendit ishte thirrur me kërkesën e PDK-së për debat parlamentar për “Pakon Emergjente”, të cilën tentuan ta kthejnë në mocion për nxjerrjen e dy projektligjeve; për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe pakon emergjente financiare prej 320 milion eurosh, gjë të cilën e kundërshtoj kryeparlamentarja Vjosa Osmani, duke e arsyetuar me rregulloren e Kuvendit dhe komentarin e Kushtetutës si pengesë për futjen e mocionit të PDK-së në rend të ditës, të cilët më pas u tërhoqën nga propozimi dhe seanca u mbyllë pa debat parlamentar.

EkoHigjiena

Ndodhi ashtu siq e kisha cekur në shkrimin “Përballja e parë LVV-PLAN” të datës 13.04.2020; “Është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë në seancën e nesërme e Kuvendit, për shkak se aq të paparashikueshëm janë bërë politikanët kosovarë, saqë nuk ju besohet më për asgjë!”.

Mungesa e deputetëve të LVV-së doli jashtë parashikimit tim, jo pse nuk e kisha menduar këtë, por pse nuk doja të besoja që LVV-ja do ta merrë një vendim të tillë për ikje nga përballja në Kuvend.

Ikjet nga debati paralmentar nuk janë praktika të subjekteve të hapura që pretendojnë ndryshimet politike dhe reformat substanciale, e aq më pak të subjekti që deri më sot nuk i ka ikur asnjë debati në kuvend!

Anashkalimi apo më mirë të themi, injorimi i institucionit më të lartë në vend, siq është Kuvendi i Republikë së Kosovës, si organi i parë dhe më i lartë i republikës parlamentare nga një qeveri e shkarkuar paraqet përmbysje të rendit kushtetues në vend.

Në anën tjetër, tendenca e PDK-së për futjen e mocionit në rend të ditës së seancës së djeshme në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, paraqet tendencën antikushtetuese të marrjes së kompetencave të qeverisë në detyrë, gjegjësisht tendencës për krijimin e një qeverie nën hije, ngjashëm siq kishte vepruar gjatë qeverisjes LDK-AAK në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Koha nëpër të cilën po kalojmë, nën kërcënimin e pandemisë botërore të “Covid-19”, i bënë të pa pranueshme fiskulturat politike dhe manipulimet e kësaj klase të papërgjegjshme politike me opinionin publik, kinse në emër të mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

Përhapja e “Covid-19” dhe dualizmi i veprimeve politike të bartësve të institucioneve shtetërore dhe mos koordinimi i liderëve shtetërorë, e rrezikon akoma më shumë jetën e qytetarëve, të cilët nuk e kanë të qartë se çfarë realisht është duke ndodhur në vendin tonë.

Kështu po ndodhë në vendin e paradokseve të mëdha, për shkak të politizimit të virusit “Covid-19” nga virusët politikë, që fatkeqësisht janë me bollëk në vendin tonë.

Përderisa shkaktimi i krizës qeveritare erdhi nga mosmenaxhimi i mirë i situatës së parë konfliktuoze nga ana e kryeministrit Kurti, mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së shpresës në kohë pandemie ishte skenarë dhe produkt i virusëve politikë që thyen shpresat e qytetarëve dhe rrezikuan të ardhmen e shtetit.

Sikurse mocioni i mosbesimit ndaj partnerit qeverisës në kohë pandemie, ashtu edhe kthimi në shtratin e PAN-it do të jenë vetëvrasje politike për LDK-në!

Përplasja e ashpër e kryeparlamentares Vjosa Osmani me deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj, e dëshmon situatën shpërthyese brenda LDK-së, shkaku i prishjes së koalicionit me LVV-në dhe gatishmërisë për koalicionin e ri qeverisës me partitë e PAN-it.

Bazuar në përhapjen e deritanishme të “Covid-19” në Kosovë, jam thellësisht i bindur që Kosova do të kalojë më lehtë dhe më mirë nga kjo pandemi sesa të gjitha vendet e rajonit, por do ta ketë shumë të vështirë të lirohet nga virusët politikë që po ia gërryejnë shpirtin Kosovës tani e dy dekada pa ndërprerë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.