Asnjë vend nuk është i kursyer nga veprat penale të cilat përmbajnë elemente ndërkombëtare. Rritjes shumë dinamike të kriminalitetit ndër faktorë tjerë gjithsesi i kontribuon edhe pozita gjeografike e Kosovës, përmes së cilës kalojnë rrugët nga Evropa Perëndimore dhe e Mesme për Lindjen të afërt dhe anasjelltas .
Shkruan: Sabedin Sinani
Mjetet bashkëkohore të lidhjeve dhe transporti ua mundësojnë grupeve kriminale që shumë shpejtë të kalojnë nga një vend në tjetrin,duke iu shmangur kapjes,gjegjësisht zbulimit. Në kushtet e tilla bashkëpunimi policor ndërkombëtar në luftimin e kriminalitetit është shumë i nevojshëm. Këtë bashkëpunim e bënë të domosdoshëm edhe dukuria e delikteve shumë të rënda dhe jashtëzakonisht anti-humane ,siç janë terrorizmi,krimet e luftës etj.
Organet e policisë bashkëpunimin më intensiv ndërkombëtar në kuadër të evitimit dhe luftimit të kriminalitetit e realizojnë përmes Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminalistike – -INTERPOLIT.
Fillimi i bashkëpunimit ndërkombëtar të disa shteteve daton që nga viti 1914 kur është mbajtur Kongresi Ndërkombëtar i Policisë Gjyqësore në Monako. Pas luftës së dytë botërore në Kongresin e Parisit 1946 është përtëritur Komisioni Ndërkombëtar i policisë Kriminalistike, kurse organizata ka marrë emrin dhe statusin Interpol, duke kaluar me seli në Paris. Komisioni më 1956 ka ndërruar emrin ne Organizatë Ndërkombëtare të Policisë Kriminalistike INTERPOL.
Më 1984 ka hyrë në fuqi marrëveshja e re për selinë e organizatës,inaugurimi zyrtar i selisë së re është bërë në Lion të Francës më 27 Nëntor 1989. Organizata më 1955 kishte 50 shtete anëtare, më 1967 kishte 100, më 1990, 154 shtete anëtare, më 1993 i kishte 176, në vitin 2004 kishte 182, ndërsa tash për momentin përbëhet prej 192 shtete anëtare.
Interpoli ka të punësuar brenda organizatës rreth 800 punonjës nga afër 40 kombe të vendeve anëtare,dhe ka një buxhet vjetor rreth 113 milion euro, financim i cili bëhet nga participimi i shteteve anëtare.
Organet udhëheqëse dhe ato të punës së Organizatës së Intetpolit janë: -Asambleja e përgjithshme -Komiteti Ekzekutiv -Sekretariati i Përgjithshëm dhe Sekretariati i Përgjithshëm, si organe profesionale dhe administrative teknike të cilat mundësojnë funksionimin permanent të organizatës, të byrove nacionale qendrore si dhe këshilltarët si kolegj i përbërë nga bashkëpunëtorët profesional dhe punëtorët shkencor të cilët i propozon Sekretariati i Përgjithshëm dhe i miraton Asambleja e Përgjithshme me mandat prej 3 vjetësh.
Gjuhë zyrtare në punën e organizatës janë gjuha angleze, frënge, spanjolle dhe gjuha arabe. Përmes Intetpolit lëshohen fletëarrestet të cilat zakonisht dallohen për nga ngjyra e cila e karakterizon aktet e tilla siç janë :
1. Fletëarrestet e Kuqe -Këtë fletë arrest e lëshon Sekretariati i Përgjithshëm në bazë të urdhëresës së organeve kombëtare për privim nga liria të personave të caktuar,e që në esencë është kërkesë e shtetit tjetër për ekstradim të personit të arrestuar. Kërkesa për fletë-arrest të kuq të cilin e dërgon shteti anëtar,për tu konsideruar i ligjshëm në pikëpamje juridike,duhet ta ketë përshkrimin e përmbajtjes së bashku me kërkesën për privim nga liria.
2. Fletëarrestet e kaltërta. Lëshohen me qëllim të mbledhjes së informatave për identitetin e ndonjë personi ,të informatave gjyqësore,të informatave për aktivitete kriminale të personit të caktuar dhe/apo për vendin e ndodhjes së personit të tillë,gjegjësisht për vendbanimin e tij.
3. Fletarresti i Gjelbër -Këto përmbajnë informata për aktivitete kriminale të disa personave, për këtë lloj fletarresti është e nevojshme informata për aktivitetet e tilla së paku nga tri shtete të ndryshme,me përjashtim në tregtinë e organizuar ilegale të “Engjëjve të ferrit”dhe pedofilisë,sepse këto i lëshon Sekretariati i Përgjithshëm me vetiniciativë apo me kërkesën e ndonjë Byroje Qendrore Nacionale.
4. Fletëarrestet e Verdha – Këto kanë të bëjnë me personat e zhdukur si dhe me personat të cilët nuk janë në gjendje të vetë-identifikohen apo për fëmijët viktima të kidnapimit nga prindërit.
5. Fletarrestet e portokallta. Këto tregojnë për kërcënimet e mundshme, gjegjësisht për rrezikun nga armët e fshehura dhe nga mjetet e ndryshme të cilat mund t’i lëndojnë njerëzit ,siç janë psh. lapsat armë, arma e fshehur e kalibrit 8 mm, letra bombë, çantat eksploduese, pjesët e bombave dhe projektileve, etj. Zakonisht lëshimit të fletarresteve të interpolit i paraprijnë lëshimet e të ashtuquajtura difuzione.
Kërkesat për shpalljen e fletarresteve nga Interpoli dërgohen në mënyrë elektronike dhe pranohen nga Sekretariati i Përgjithshëm ,i cili pastaj e bënë vlerësimin e përmbajtjes dhe nxjerr vendimin për shpalljen e saj. Fletëarresti që në momentin e futjes së saj në bazën e të dhënave (baza ASF -Automated Search Facility ) bëhet i kapshëm dhe i njohur për të gjitha shtetet anëtare, të cilat janë të lidhura me sistemin e Interpolit.
Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë organizatë është e një rëndësie të veçantë, sepse i mundëson institucioneve të ligjit, policisë dhe institucioneve tjera të kenë qasje direkt në marrjen dhe dhënien e informatave që kanë të bëjnë me krimin e organizuar ndërkombëtar, lëshimin e fletëarresteve për personat që janë të kërkuar nga drejtësia, qoftë ata kryes të krimeve ordinere dhe ato të krimeve të luftës, në luftimin e tregtisë ilegale Ndërkombëtare me narkotikë etj.
Vlerësohet se shembull përmes rrjetës ballkanike ku bënë pjesë edhe Kosova kontrabandohet rreth 80% e heroinës që konfiskohet në Evropë, prandaj me anëtarësimin në Interpol, institucionet tona të zbatimit të ligjit do ta kishin mundësinë që t’i luftojnë këto dukuri negative me më shumë efikasitet dhe me rezultate pozitive.
/Autori është Jurist i Diplomuar dhe kandidat për Mr.Sc të Shkencave Juridike/