Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes me Anglinë.
Kosova është nikoqire e Anglisë në ndeshjen e fundit eliminatore për Euro 2020 në kuadër të Grupit A.
Trajneri Challandes mezi e pret këtë takim pasi e sheh shumë të rëndësishëm para takimit të marsit ndaj Maqedonisë në Ligën e Kombeve.
“Për mua është një ndeshje shumë shumë e rëndësishme sepse me këtë mbyllet xhiroja kualifikuese dhe është e rëndësishme para lojës me Maqedoninë”, ka thënë fillimisht Challandes.
“Para kualifikimeve, nëse ju kujtohet thosha se ato do të na shërbejnë për të bërë përvojë dhe përparim. Kjo ndeshje është mundësi e mirë për të bërë më shumë përvojë. Për ne është një ndeshje e mrekullueshme”.
“Anglia ka potencial të jashtëzakonshëm sulmues, që shënon shumë gola duke fituar 7-0, 6-0 dhe 5-0. Për ne është një sfidë, sfidë e pabesueshme. Si trajner, mund ta shijoj këtë lojë, por natyrisht edhe për t’u frikësuar. Kjo është ndeshja e 1001-të për Anglinë, ndërsa për ne është e 29-ta për ne. Ata kanë pak më shumë përvojë se ne”, përfundoi trajneri zviceran.
Ndryshe, ndeshja pritet të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 18:00.