Çështjet e demarkacionit të kufijve përbëjnë çështjet më komplekse në displinën e së drejtës ndërkombëtare. Problemet kufitare nuk lidhen vetëm me kërcënimet e mundshme të sovranitetit nga jashtë, por ato përfaqësojnë të drejtën e çdo qytetari i cili njëkohësisht është vetë sovrani. Në këtë pikëpamje, Republika e Kosovës lidhur me demarkacionin e kufirit ka treguar mungesë të theksuar të diplomacisë.
Fatmir Arifi
Duke e ditur se diplomacia është proces i zhvillimit të negociatave ndërmjet përfaqësuesve të grupeve apo shteteve në shumë sfera të caktuara si diplomacia e paqes, e tregtisë, ekonomisë, e kulturës, pa përjashtim në të gjitha segmentet mund të themi më përgjegjësi së jemi treguar shumë inferiorë. Kemi treguar mungesë profesionalizmi, mungesë mendësie shtetërore dhe mungesë ekspertize.
Ndërsa për sa i përket diplomacisë së kufijve të shtetit, ajo është fare inekzistente dhe gjërat po bëhen ad hoc, pa asnjë plan, apo veprim të studiuar.
Më lejoni që para se të jap përgjigjen e kërkuar, të theksoj se demarkacioni i kufijve të një shteti u nënshtrohet disa parimeve dhe praktikave ndërkombëtare:
Së pari, diplomacia e kufijve zhvillohet mbi bazën e një procesi, domosdoshmërisht mbi baza të barabarta me fqinjët. Në këtë kuadër që të dy palët duhet t‘i nënshtrohen procedurave me të njejtin dokumentacion, pasi që bëhet fjalë për kufirin e përbashkët.
Së dyti, çështjet e demarkacionit duhet të zgjidhen në bazë të respektimit dhe mirëkuptimit reciprok.
Së treti, shënimi i vijës kufitare duhet të bazohet në harta, dokumente, koordinata të njëjta në mes dy palëve si dhe materiale referuese shtesë.
Së katërti, nëse ka dallueshmëri në mes palëve në disa segmente të vijës kufitare, ajo do të zgjidhej përmes formimit të komiteteve të përbashkëta të nivelit teknik dhe të një komisioni të nivelit të lartë me pjesëmarrje të barabartë.
Së pesti, diplomacia duhet të ngritet në nivel shkencor për të gjetur mënyrën dhe mjetet për të bërë studime dhe kërkime në kuadër të zgjidhjes miqësore të problemeve të demarkacionit të kufirit. Në këtë pikë, diplomatët duhet të përgatisin një dokument zgjidhjeje në bazë të fakteve etnologjike, toponomastike, fakteve historike, jetës së banorëve rreth kufirit, incidenteve të mundshme, nëse ka pasur, në periudha të caktuara historike si dëshmi të mundshme. Ky ekip diplomatësh duhet të mbajnë kontakte në baza ditore me homologët e tyre të vendit fqinj për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të dy palët.
Së gjashti, përmbajtja e këtij dokumenti për zgjidhje gjerësisht do të duhej të kalojë në diskutim në nivel politik dhe duhet të miratohet me shumicë nga i gjithë spektri i gjerë. Ndryshime dhe plotësime mund të pranohen. Pas gjithë këtij procesi, ky dokument mund të procedohet që të legalizohet apo aprovohet si “diplomaci, ose politikë kombëtare e kufirit” të një kombi. Ky dokument udhëzues duhet të jetë i pranueshëm dhe të aprovohet nga i gjithë spektri politik i një vendi, por i pranuar edhe nga personeli homolog.
Së shtati, lidershipi i vendit duhet të shtrojë këtë dokument me homologun e tij të vendit fqinj edhe atë vetëm mbi bazën e diplomacisë kombëtare të kufirit për të negociuar dhe zgjidhur problemet, apo kontestet e mundshme të demarkacionit të kufirit.
Së teti, nëse nuk ka rrugëzgjidhje edhe në nivelin e shefave të qeverisë, praktika e diplomacisë kalon në fazën e dytë për të kërkuar diplomacinë ndërmjetësimit nga një shtet i tretë. Në këtë rast të dy fqinjët do të duhej t’i besojnë vendit ndërmjetësues.
Së nënti, në rast se diplomacia ndërmjetësuese nuk është e suksesshme, ose e besuar, atëherë kalohet në fazën e tretë, e cila atë çështje e parashtron në institucione ndërkombëtare, në këtë rast në gjykatën e arbitrazhit. Mirëpo duhet të theksoj se në këtë rast, është zakon që vendi të informojë zyrtarisht vendin fqinj, përpara se lënda të shkojë në arbitrazh për procedim.
Duke u bazuar në këto parime dhe praktika ndërkombëtare, e them me përgjegjësi se çështja e demarkacionit të kufirit, qoftë më Malin e Zi, qoftë me IRJM, qoftë në të ardhmen që do të ndodhë me Serbinë, ka nisur mbrapshtë dhe mbrapshtë do të përfundojë. Fillimisht negociatat lidhur me këtë çështje janë zhvilluar pa ndonjë koordinim me spektrin politik në vend. Së dyti, ekipet që kanë përfaqësuar Republikën e Kosovës kanë qenë tërësisht jo profesionale, pak e shumë në nivel të njëjtë me pikëpamjen e një deputeti që dëgjuam sot në shtypin ditor.
Së treti, dokumentacioni i përbashkët nuk është praktikuar në raport me Malin e Zi por edhe me IRJM. Palët kanë përdorur dokumentacion të ndryshëm. Ndonëse dhe vetë komisioni i Republikës së Kosovës ka punuar me dokumentacion kontravers.
Së fundi, kamë lexuar në medie se kjo çështje mund të dërgohet në arbitrazh. Kjo është më skandalozja. Shtrohet pyetja kundër kujt do ta dërgojmë në arbitrazh? Fillimisht Mali i Zi duhet të mbajë qëndrim publik që nuk e pranon opsionin e Republikës së Kosovës. Deri tash një nuk ka pasur deklaratë të tillë zyrtare nga Mali i Zi. Atëherë nëse i drejtohemi arbitrazhit, ne automatikisht procedimin duhet ta bëjmë kundër opozitës.
Ndërsa gjykatës së arbitrazhit, lidhur me kufijtë, shtetet i drejtohen për të kërkuar drejtësi për të ruajtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin. Kosova në arbitrazh nuk është duke shkuar për shkak të kontesteve që janë ngritur nga Mali i Zi, por sipas kësaj pikëpamjeje, për shkak të mospajtueshmërisë së brendshme.