Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe gjykatën përkatëse, pas hetimeve intensive të kryera ndaj të dyshuarave të përfshirë në veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, më 15.09.2021, 16.09.2021 dhe 17.09.2021 në tre raste të ndara, në tri rajone Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ka realizuar operacione policore ku janë arrestuar në flagrancë tetë të dyshuar.
Të arrestuarit në këto operacione policore janë: H.T., (viti i lindjes 1967, mashkull kosovar); A.V., (viti i lindjes 1964, mashkull kosovar); A.Ç., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar); Rr.B., (viti i lindjes 1971, mashkull kosovar); B.M., (viti i lindjes 1966, mashkull kosovar); E.M., (viti i lindjes 1990, mashkull kosovar); B.M., (viti i lindjes 1981, mashkull kosovar) dhe S.M., (viti i lindjes 1970, mashkull kosovar).
Bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, në tri rajone, në gjithsej tetë lokacione, janë bërë kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave materiale që lidhen me rastet.
Gjatë operacioneve janë sekuestruar këto gjëra:
- 44,150.00 (dyzet e katër mijë e njëqind e pesëdhjetë) euro para kesh,
- në llogaritë e të dyshuarave janë ngrirë mbi 61,000.00 (gjashtëdhjetë e njëmijë) euro,
- dy revole,
- një pushkë e gjuetisë,
- 106 fishekë (kalibra të ndryshëm),
- tri vetura,
- fletore dhe dokumente të ndryshme relevante për rastet dhe
- shtatë telefona.
Të dyshuarit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /2LONLINE.com/