Të dashur miq, shokë e dashamirë, institucione të Kosovës, ju media
Në emrin tim e të familjes, ju falënderoj për pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit të më të dashurve tanë!
Unë sot mbeta pa vëllanë e vogël, pa babanë dhe pa gjyshen, shkaku i shpejtësisë dhe pakujdesisë në komunikacion. U bëjë apel presidentit, kryeministrit, policisë së Kosovës, ekspertëve të komunikacionit që të dimë kush është fajtori i kësaj vdekjeje të katërfishtë. Jo të mbulohet e vërteta për arsye se në këtë aksident u përfshi edhe ambasadorja turke… Jeta për të gjithë është e çmueshme njësoj.
Kam informata nga kalimtarët e rastit se në momentet kritike, policia e Kosovës nuk ka reaguar me ofrimin e ndihmës menjëherë për familjarët e mi, të cilët kanë qenë me lëndime të rënda vdekjeprurëse,por janë orientuar te ambasadorja turke.
Unë nuk humba vetëm një anëtar të familjes, unë humba tre, pothuajse gjysmën e familjes.
Dhembja neve do të na shoqërojë tërë jetën, asnjëherë nuk do gjejmë qetësi, uroj që të mos i ndodhë askujt kjo që na ka ndodhë neve…
U bëj apel të gjithëve që të ngadalësojnë shpejtësinë në komunikacion e mos të humbin jetët e të dashurve të tyre.
Do t’ju kujtojmë me mall e me lot në sy më të dashurit e tanë,vëllai im, që shkove në kohen më të mirë, baba dhe gjyshe!
U prehshi në paqe në parajsë të dashurit e tanë!
Agim Shala