Arben Mehmeti shef i Grupit parlamentar të LDK-së në KK-në e Gjilanit ka thënë se emërimet e fundit në postet menaxhuese në arsim vetëm sa kanë bërë publike një shqetësim të LDK-së se përzgjedhja do të jetë politike duke mos u bazuar në vlera shoqërore, profesionalizëm dhe aftësi menaxhuese.
Sipas Mehmetit në LDK edhe e kanë prit një gjë të tillë me vetë faktin se komisioni, sipas tij, ka qenë në përbërje politike por, siç u shpreh Mehmeti, nuk e ka menduar mirë këtë proces kryetari i komunës pasi zotimi i tij ka qenë ndryshe nga ajo që vepruar në praktik nga komisioni.
Mehmeti ka thënë se përzgjedhja në disa raste është bërë në disharmoni me kapacitetet menaxhuese të drejtorëve çka në fakt do ta dëmtojë në masë të madhe procesin arsimor në komunë mirëpo përgjegjësia nuk bie mbi të zgjedhurit por mbi ata që i kanë zgjedhur.
“LDK me vëmendje është duke e përcjellë procesin e rekrutimit në fushën e arsimit dhe kemi mjaftë argumente përmes së cilës do të shihet se në masë të madhe kemi shkelje të ligjeve, procedurave të regrutimit, mosrespektim të kritereve të vet aplikuara, keqpërdorim të pozitave zyrtare duke mos publikuar vende pune përmes konkursit publik, qasje selektive në përzgjedhje dhe disa parregullsi tjera të cilat me kohë do ti bëjmë publike”, ka thënë Mehmeti.
Në anën tjetër zëdhënësi i komunës Shefik Surdulli i ka quajtur paushalle dhe hipotetike vlerësimet paushalle të LDK-së për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave në Gjilan.
Surdulli ka thënë se procesi i aplikimit, intervistimit, poentimit, dhe zgjedhjes së tyre, ka qene fare korrekt dhe i paanshëm, me ç’rast janë sjell pikërisht vlerat shoqërore, profesionalizmi, po dhe aftësia menaxhuese, e kandidatëve.
“Vet fakti se në këto pozita, janë zgjedhur edhe kuadro që i takojnë subjekteve të ndryshme politike (edhe nga ana e opozitës), është dëshmi e një përzgjedhje ku ka ardhur në shprehje kualiteti – cilësia, e jo të tjera komponentë në të cilat aludon dhe e thotë nga tabori opozita, Arben Mehmeti”, thotë Surdulli.
Ai ka thënë se çdo gjë është bërë konform normave të aplikueshme nga Ministria e Arsimit dhe DKA-ja. “Nuk merakosemi fort për barsoletat e Arben Mehmetit, mbase këto mund t’i shërbejnë atij pikërisht tash për të fituar ndonjë kokërr më shumë në zgjedhjet në subjektin e tij”, ka thënë Surdulli.
Ai ka kërkuar nga opozita se duan ballafaqim argumentesh e faktesh konkrete e jo vlerësime paushalle e gjykime hipotetike siç janë këto të LDK-së, përkatësisht të shefit të grupit të këshilltarëve të LDK-së në KK-në e Gjilanit./2lonline/