Në kuadër të promovimit të produkteve dhe bizneseve vendore, të fushatës “Javët e Biznesit Kosovar 2018”, me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po Ju?”, të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, mori pjesë zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi.
Në këtë ngjarje po marrin pjesë prodhues të ndryshëm vendës duke promovuar prodhimet e tyre para qytetarëve të Prizrenit në “Viva Fresh Store”.
Zëvendësministrja e MTI-së, Arbëreshë Krasniqi, me këtë rast, potencoi se pas masave të ndërmarra nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe institucionet e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake me taksën 100 për qind, prodhimeve vendore iu ka ardhur koha që të konsumohen nga të gjithë.
Për këtë, zëvendësministrja Krasniqi iu bëri thirrje prodhueseve vendorë që të rrisin cilësinë e produkteve në mënyrë që edhe institucionet do t’i përkrahin.
Sipas zv/ministres Arbëreshë Krasniqi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po vazhdon t’i përkrahë fuqishëm prodhimet vendore dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë në forcimin e secilit biznes vendor, në mënyrë që tregu ynë të plotësojë nevojat e konsumatorit kosovar.
Ajo edhe njëherë iu kërkoi qytetarëve që të konsumojnë prodhimet vendore dhe festat e fund vitit t’i festojnë me sa më shumë prodhime vendore.