Kosova në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë ka arritur që të ketë suksese të cilat kanë krijuar imazh të dukshëm para bashkësisë ndërkombëtare por edhe para gjithë botës së civilizuar. Kështu thotë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, shkruan Indeksonline.
“Në këtë dhjetëvjetor të festimit duhet të kthejmë kokën mbrapa dhe të shikojmë se si erdhëm. Për të përmbyll sovranitetin dhe për ti dhënë fund proceseve dhe kryerjes së obligimeve shtetërore institucionet e Kosovës duhet të ngrisin padi ndaj shtetit serb për dëmshpërblim Kosovës për gjenocidin e kryer gjatë viteve 98/99 . Ishin mbi 15 mijë të vrarë dhe mbi 20 mijë të dhunuara motra tona. Po ashtu duhet të detyrohet Serbia që të paguaj dëmshpërblimin për shkatërrimin e Kosovës gjatë gjenocidit të kryer në Kosovë”, ka thënë Zeka.
Sipas tij, ata që kryen këto shkatërrime duhet të bartin edhe pasojat nga bota demokratike dhe gjykatat ndërkombëtare. Kosova duhet të veproj sa më shpejt në këtë drejtim.
BURIMI: Indeksonline