Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar , z. Nicholas Abott.
Zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ambasadori Abott diskutuan rreth situatës me pandeminë, ku ndanë shqetësimin e përbashkët në lidhje me rritjen e numrit të infektimeve gjatë javëve të fundit në nivel global, duke theksuar angazhimin dhe fokusin e Ministrisë së Shëndetësisë në menaxhimin e variantit të ri të Covid dhe rritjen e dozave të vaksinave në popull, i cili numër ka arritur shifrën 1.7 milion doza të menaxhuara.
Gjithashtu fokusi i bisedës ishte i orientuar në drejtim të fushave si ekonomia dhe energjia, ku zëvendëskryeministri Bislimi trajtoi politikat e implementuara, të orientuara drejt rritjes ekonomike të vendit dhe hapat e ndërmarrë në sajë të menaxhimit të situatës energjitike në vend.
Ndër të tjera, zëvendëskryeministri vlerësoi partneritetin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe interesimin e angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Abott e falenderoi zëvendëskryeministrin Bislimi për pritjen dhe shprehu gatishmërinë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës. /2LONLINE/