Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Punë Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Leonidas Rokanas, i shoqëruar nga shefja e Zyrës Ndërlidhëse greke në Kosovë, znj. Heleni Vakali.
Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi mirëseardhjen në Kosovë ambasadorit Rokanas, i cili tha se u mahnit nga pasuritë natyrore të Kosovës dhe siç ai e përkufizoi “erës evropiane që frynë në Kosovë”.
Palët biseduan mbi bashkëpunimin dhe miqësinë mes Kosovës dhe Greqisë. Z. Rokanas tha se vendet tona duhet të intensifikojnë punën dhe angazhimin me njëra-tjetrën. Objektivi final për Kosovën duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian, perspektivë kjo e nisur në Selanik në vitin 2003 për Kosovën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që të ecin së bashku në harmoni dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se qëllimi final i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, e tashmë po ndërmerret hapi i parë, që është ai i aplikimit për anëtarësim. Në ndërkohë, vendi po ecën përpara me ritëm të shpejtë në avancimin e agjendës evropiane dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian, ku dallohet puna e bërë nga Qeveria në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, demokratizimin e shumë fusha të tjera. “Ne jemi të gatshëm, që përmes përkushtimit tonë, ta përshpejtojmë progresin në këto fusha dhe rrjedhimisht rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi.
Është e rëndësishme që vendet tona të vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe të zgjerojnë hapësirat e ndërveprimit, veçanërisht në sferat sociale, kulturore, por edhe në përballimin e sfidave të përbashkëta si kriza energjetike dhe tranzicioni drejt energjisë së gjelbër. Ky bashkëpunim i ngushtë do të kontribuonte në krijimin e urave mes vendeve dhe njerëzve tanë.
Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi, ritheksoi angazhimin në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, mbështetjen e fuqishme të qytetarëve ndaj integrimit në BE, përkushtimin e Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore. /2LONLINE/