Para se të mendohet për të vepruar konkret për zgjedhjet e brendshme të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ajo duhet të hapet për të gjithë të interesuarit, duhet të ketë prurje të reja të shumta, të rinj, kuadro intelektuale, njerëz vizionarë, që të mund të kalohet në faza tjera të zhvillimit të partisë.
Kështu ka thënë kryetari aktual i PDK-së dega në Gjilan, Zenun Pajaziti, sipas të cilit edhe kësaj dege i nevojitet një reformim i thellë. Ai ka thënë se shpreh mirënjohje dhe shume respekt për veteranë e aktivistë të devotshëm të cilët janë me meritorët për sukseset e PDK-së.
“Tani më ata prezantojnë jo vetëm kërkesën për reforma por edhe vendosmërinë që do të jenë të vullnetshëm të ndihmojnë dhe ta qojnë përpara këtë proces”, ka thënë Pajaziti, për Portalin 2LONLINE.
Ai shtoi tutje se hapja e PDK-së ndaj të rinjve, kuadrove profesionale nuk ka alternativë dhe se PDK-së i duhet dhe do ta ketë një lidership të ri, për t’i rikthyer në pah vlerat e saja dhe avancuar ato, në të mirë të qytetarëve.
Sipas tij, prurjet e reja në PDK-në e Gjilanit, sidomos e të rinjve, do ta ngrisin nivelin e garës së brendshme, do ta forcojnë partinë për ta rikthyer në subjekt lider, në subjekt që më së miri do t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve gjilanas dhe me këtë edhe në një subjekt që padiskutueshëm që do të rikthehet në pozitën udhëheqëse në Gjilan.
Pajaziti tha se pas këtyre zgjedhjeve të humbura, PDK-ja e Gjilanit, duhet dhënë përgjigje pyetjeve të shumta, që lidhen me rezultatin e zgjedhjeve, por mbi të gjitha në ato pyetje që iu janë parashtruar nga qytetarët, përgjatë fushatës.
Sipas tij, nuk ka dyshim se PDK-ja në përgjithësi, e edhe Dega e PDK-së në Gjilan, do t’i hap rrugë një procesi demokratik që do të sjellë ndryshime që i duhen, do të sjellë në strukturat udhëheqëse njerëz të aftë, me kapacitete intelektuale, profesionale e morale, që do të marrin përgjegjësinë për ta rikthyer PDK-në, para qytetarëve të vendit, e edhe atyre gjilanasve, në opsionin më të mirë për zhvillimin e vendit, përkatësisht edhe të komunës së Gjilanit.
Përndryshe, lideri i këtij subjekti politik, Kadri Veseli, në përputhje me vendimin që është marrë në mbledhjen e Këshillit Drejtues, më 29 korrik 2017, dhe në përputhje me Statutin e PDK-së, ditë më parë kishte shpallur zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat, siç është thënë, do të mbahen në javët dhe muajt në vijim.