Me shumë mundësi, xhudoja do të ofrojë normat e vetme olimpike të Kosovës për “Tokio 2020”. Janë plot pesë xhudistë që ka kohë që janë në zonën që siguron normën për Olimpiadën e këtij viti, ndërsa gjasat që ndonjëri prej tyre të dalë nga zona janë fare të vogla.
Trajneri Driton Kuka, megjithatë, vazhdon të jetë kërkues. Ai synon edhe normën e gjashtë, që për një sport individual të një vendi të vogël si Kosova do të vlerësohej sukses shumë i madh. Normën e gjashtë xhudoja kosovare e synon përmes Laura Fazliut.
Fazliu ka pasur suksese të mëdha vitin e kaluar në konkurrencë të juniorëve dhe trajneri Kuka vlerëson se ajo tashmë e ka potencialin që i duhet për të fituar normë olimpike.
Laura Fazliu ka kohë deri më 30 maj që të sigurojë normën olimpike. Sulmin për normë e nis në Tel-Aviv të Izraelit, ku mbahet gara e parë e vitit në turin botëror të xhudos. Gara Grand Prix e Tel-Avivit zhvillohet prej 23 deri më 25 janar.
Laura do të garojë në kategorinë deri 63 kilogramë. Do të jetë sfida e parë serioze në nivelin e të rriturave për 19-vjeçaren, ndonëse ajo ishte paraqitur në Lojëra Mesdhetare vitin e kaluar dhe në disa gara më të vogla të senioreve.