Klasa politike e Serbisë po jep sinjale se është e gatshme të heq dorë përfundimisht nga politika e deritashme ndaj Kosovës por klasa politike e Kosovës nuk duket asgjëkund në horizont për ta luajtur rolin e sajë në këtë episod të rëndësishëm!
Nga: Arsim Kastrati
Politikanët e Kosovës kahmoti janë në gjumë për sa i përket realpolitikës, ata janë tepër të preokupuar me inate e konflikte ndërpartiake e ndërpersonale dhe për fatin e Republikës nuk mund të mendojnë!
Se vetveten dhe partinë i çmojnë më të rëndësishme se shtetin është parë e po shihet si fshati që kallauz nuk do.
Bile në mungesë të tyre edhe kleri fetar dëshiron t’i merr “dyzgjinat” e shtetit në dorë!
Kur ata që janë të zgjedhur me votën e popullit nuk i kryejnë punët për çka janë zgjedhur atëherë dalin sa të duash probleme të dorës së dytë e të tretë dhe populli do të “argëtohet” me to.
Dhe kur çështja madhore e shtetndërtimit dhe sovranitetit zvarritet për kohë të gjatë atëherë edhe çështjet e tjera, kushtimisht më pak të rëndësishme problematizohen dhe rëndohen e pastaj gjithçka mblidhet e bëhet lëmsh të cilit nuk mund t’i gjendet filli.
A mund të mbërrijmë në një situatë të tillë?
Unë them që po e ndoshta tashmë edhe jemi aty.
Demokracinë e kemi të varfër shumë ashtu sikur që e kemi edhe gjendjen ekonomike, të rinjtë me shkollë e pa shkollë të papunë e të dëshpëruar ikin përditë nga vendi, e për të mos mjaftuar këto gjithnjë e më shumë po e nxjerr kryet e zi një kontradiktë intranacionale religjiozo – laike.
Një elitë respektabile intelektuale që ta qetësoj këtë popull, t’i jep shpresë e udhë aspiratave të tij të lodhura, përveç ndonjë individi të vetmuar, nuk duket se ekziston ose nuk është e gatshme t’u qaset problemeve të ndjeshme të nënqiellit kosovar.
Një elitë që ta tundë nga ëndrrat idioteske këtë klasë politike që shtrihet e krihet si ajo plaka e katundit që digjej!
Zgjohuni o të zgjedhurit e popullit, punët e shtetit po ju presin, Vuqiqi po ju pret!
Nuk i kryen Amerika gjithmonë obligimet tona!