Kosova pësoi humbje në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për në kampionatin evropian “Euro 2020”, nga Anglia me rezultat 0:4.
Mërgim Vojvoda u shpreh se rezultati i kësaj ndeshjes nuk ishte me rëndësi. Ai falënderoi tifozët, që janë duke e përkrahur në mënyrë të pandalshme kombëtaren e Kosovës.
“Mendoj që rezultati nuk ka qenë shumë i rëndësishëm. Kemi treguar një lojë të mirë. Kemi dashur ti bëjmë krenar krejt tifozët që na kanë përkrahë në gjithë këto kualifikime. Lojët në shtëpi edhe në ndeshjet kur i kemi zhvilluar jashtë dhe për ata, dua ti falënderoje të gjithë tifozët që na kanë përkrahë. Mënyra se si kemi humbur nuk është e drejtë besoj, por rezultati është ky. E dimë që kemi luajtur kundër një kombëtare të fortë”, tha fillimisht Vojvoda.
Për ndeshjen ndaj Maqedonisë, Vojvoda tha se Kosova ka shanse të mira që ta fitojë dhe të mendojë për një kualifikim për në kampionatin Evropian.
“Normal që kemi shanse, nuk duhet të mendojmë se ka përfunduar. E kemi fitu edhe Ligën e Kombeve që besoj se shumë pak njerëz kanë menduar që mund të bëjmë atë dhe kjo tregon se jemi rritur shumë si kombëtare, por ka ende gjëra që duhet të mësojmë. Tash duhet të fokusohemi nëpër klube, mu përgatit për lojën në Mars që e kemi”, përfundoi Vojvoda.
Disfata ndaj Anglise ishte humbja e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” për Dardanët, të cilët kanë edhe një shans tjetër për kualifikim në këtë kampionat.
Kosova mbetet e treta në grup dhe kualifikim për në kampionatin evropian do ta kërkojë pikërisht në muajin Mars të vitit të ardhshëm kur edhe do të zhvillohet play-offi i Ligës së Kombeve.