Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Veton Ademi kanë pritur sot në takim Maxhun Shehaj nga projekti Agro-USAID programi për zhvillimin bujqësor dhe mundësitë rurale me të cilën kanë nënshkruar një marrëveshje për kultivimin e vishnjës në Komunën e Vitisë, ku do të kultivohen deri në 50 hektar sipërfaqe. Me këtë rast kryetari Sokol Haliti tha se komuna e Vitisë ka një teren të përshtatshëm për kultivimin e vishnjës.
“Ky projekt ka një rëndësi të veçantë, pasi që me të do të rritët sipërfaqja e plantacioneve të pemëve në Viti. Po ashtu territori i komunës së Vitisë është shumë i përshtatshëm për plantacionet e pemëve, veçanërisht pemëve bërthamore siç është vishnja dhe po ashtu kemi edhe pemëtarë të vyer të cilët kanë traditë në këtë fushë”, u shpreh kryetari Haliti pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
Kurse Veton Ademi, drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural tha se ky është një ndër projektet më të mëdha të realizuara që nga paslufta në fushën e bujqësisë. “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, ne filluam mbarë këtë vit dhe shpresojmë që edhe në të ardhmen për të ndihmuar bujqit në përgjithësi të komunës së Vitisë”, tha Ademi.