Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje zhvilluan një aksion simbolik me ç’rast në Sheshin “Skënderbeu”, paraqitën përmes një piramide shpenzimet enorme dhe kabinetin e madh të Qeverisë Haradinaj.
Në lidhje me këtë aktivisti Egzon Haliti foli për luksin e Qeverisë në njërën anë, dhe në anë tjetër për faktin se Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Evropë.
“Qeveria e Kryeministrit Haradinaj vetëm për paga merr nga buxheti i varfër i Republikës 4 milionë 374 mijë euro. Në kohën kur në Kosovë rritet gjithnjë e më shumë varfëria, Kryeministri ia rriti vetës dhe kabinetit të tij pagën deri në 100%”, tha Egzon Haliti.
Ai gjithashtu shtoi edhe numrin e madh të kabinetit qeveritar që numëron hiq më pak se 5 zv.kryeministra, 21 ministra, 82 zv.ministra e më shumë, 120 këshilltarë e mbi 400 asistentë, shoferë e trupëroje.
Një Qeveri me mendësi të tillë, me komoditetin e jetën luksoze, natyrshëm nuk mund të mendojë për qytetarin e varfër, të pastrehë, të papunë e pa asnjë perspektivë. Në vend të mirëqenies, kjo Qeveri, gjithnjë i gënjen qytetarët për liberalizim vizash pikërisht për të ikur nga mjerimi më të cilin përballen.
Kosovës, vendit tonë, i duhet një Qeveri që i minimalizon shpenzimet e veta për t’i shpërndarë ato para ne vend të duhur. Para fokusimit në shpenzime enorme për dreka e darka zyrtare na duhet fokusimi te sofrat e varfra për të siguruar ushqimin e domosdoshëm e minimumin jetik. E kjo Qeveri nuk e ka këtë as synim, as vullnet e as nuk shqetësohet për këtë, ka thënë Haliti.