DYLON

Dilemë: A do të bëhet Kuvendi Komunal me kryesues të zgjedhur me votë, këtë të premte, apo jo?!

Dilemë: A do të bëhet Kuvendi Komunal me kryesues të zgjedhur me votë, këtë të premte, apo jo?!
Avatar photo Redaksia

Kuvendi Komunal mban të premten dy seanca të jashtëzakonshme, njëra që ka të bëjë me miratimin e  KAB-it 2024-2026 dhe tjetra e thirrur nga opozita, me pikën e rendit të ditës që ka të bëjë me shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit.

Zhvillimeve të reja politke në Gjilan u parapriu prishja e koalicionit Vetëvendosje – PDK, që për rrjedhojë pozita humbi shumicën. Tani me kërkesë të opozitës, synohet shkarkimi i kryesuesit aktual, Arianit Sadiku, pikërisht në seancën e të premtes.

EkoHigjiena

Dhe, derisa  duket se kjo do të ndodh dhe votat për shkarkim do të sigurohen, zgjedhja e kryesuesit të ri, sipas parashikimeve të momentit, mund të jetë çështje që do të mbetet pezull për shkak kalkulimeve politike. Aktualisht vetëm Kushtrim Kadriu ka dalë hapur në publik se e do këtë pozitë, por se për këtë i duhet mbështetja, e veçmas e LDK-së opozitare, por e cila duket se ka edhe ajo një të interesuar që këmbëngul për kryesues, ndërkohë që nga PDK-ja thuhet se një interesim i mëhershëm ka hequr dorë.

Kalkulimet politike, sidomos të LDK-së, si dhe roli i PDK-së në këtë çështje, por gjithsesi edhe kalkulimet e pozitës (Vetëvendosjes), mund të bëjnë që pas shkarkimit të kryesuesit aktual edhe mos të zgjidhet fare kryesuesi i ri, të shtyhet procesi për të, ndërkohë që Kuvendin Komunal do ta drejtonte anëtari më i vjetër, e nga përbërja aktuale, ai është Ismajl Kurteshi i Vetëvendosjes.

Kjo kohë do t’i konventonte pozitës, Vetëvendosjes, e cila, pas humbjes së shumicës, po punon në sanimin e situatës dhe kthimin e fuqisë edhe në Kuvend. Siç dihet, pas prishjes së koalicionit me PDK-në, e cila drejtonte katër drejtori dhe kishte edhe pozitën e nënkryetarit të komunës, Vetëvendosje “luan” me kartën  e dy drejtorëve dhe pozitën e nënkryetarit që, për pushtetin, do të vazhdojnë të jenë të paprekshëm (të PDK-së).

Në këtë vazhdë mund të shihet edhe  reagimi i sotëm i PDK-së së Gjilanit.
Shih shkrimin: Sipas PDK-së, pushteti po tenton t’i josh asambleistët e opozitës dhe zyrtarët tjerë komunal për ta ri-krijuar shumicën

Në, ndërkohë Vetëvendosje po i rishikon edhe alternativat tjera,  me përfaqësues tjerë të Kuvendin si me “Vatrën”, por edhe me AAK-në, të cilët mund të kenë oferta “joshëse”, e për ndonjë votë/shërbim, kur u duhet,  mund të “peshkojë” së paku edhe në 2 a 3 anëtarë të LDK-së.

Shtyrjen e zgjedhjes së kryesuesit mund ta përdor edhe LDK-ja për kalkulimet e saja në gjetjen e alternativës nga e cila do të mund të përfitonte më së shumti, qoftë si subjekt, apo qoftë edhe individë të caktuar në LDK.

Gjithsesi, mbetet që në njërën nga seancat e nesërme, atë të orës 11:00, e thirrur  për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, të shohim edhe ecurinë e mëtutjeshme rreth kësaj çështje, ku mund të kristalizohen apo edhe të mjegullohen gjërat.   /2LONLINE/