Në kufirin Kosovë-Shqipëri, duke u kthyer nga Shqipëria, Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Fatos Sahiti. Arsyeja që është dhënë më ketë rast ka qenë pjesëmarrja e aktivistit Sahiti në një aksion simbolik muaj më parë, thuhet n reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Me tej thuhet se, Policia me veprime të tilla po e konfirmon se është e instrumentalizuar, dhe në vend të angazhimit për rend e ligj, ajo është e përqendruar në zbatimin e urdhërave politike të pushtetit të kriminalizuar.
“Arrestimet e këtilla dhe përndjekja e persekutimi i vazhdueshëm i aktivistëve të Vetëvendosjes nga pushteti përmes organeve të rendit dhe të drejtësisë, janë të papranueshme. Frika nga humbja e pushtetit i ka përshkallëzuar të këqijat e pushtetarëve dhe sheshazi e ka nxjerrë fytyrën e këtij regjimi autoritar, që qëllimin kryesor e ka- luftimin e zërave opozitarë”, thuhet tutje në reagim.
“Kërkojmë që veprimet e tilla të marrin fund, si dhe lirimin e menjëhershëm të aktivistit Fatos Sahiti. Asnjë lloj veprimi, asnjëherë, nuk do ta zmbrapsë aktivizmin tonë dhe nuk e ndalon përpjekjen tonë për një shoqëri të drejtë dhe një shtet demokratik”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes.