“Me datën 5 nëntor të vitit 2017, kur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje e shënuan njëvjetorin e mbytjes së aktivistit Astrit Deharit në burgun e Prizrenit nëpërmjet një marshi protestues, parashtruan disa kërkesa për Qeverinë dhe Prokurorinë e Kosovës. Deri në plotësimin e atyre kërkesave, kishin dhënë tre muaj afat kohor. Për këtë afat, i cili përfundoi dje (5 shkurt 2018)”, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Grupit parlamentar, Glauk Konjufca folën në një konferencë për media.
Sot, (6 shkurt) bëhen tre muaj që prej kur Kryeministri Ramush Haradinaj në takim familjarët e Astritit pati premtuar se do të angazhohet që ky hetim të realizohet sa më parë. Pavarësisht këtij zotimi, nuk ka asnjë zhvillim në këtë drejtim dhe hetimi i pavarur ndërkombëtar nuk po lejohet. “Prandaj Lëvizja Vetëvendosje do të zhvillojë dhe intensifikojë aktivitetet në trysninë publike e politike për këtë gjë, me ç’rast do të fillojmë me një interpelancë me Kryeministrin Haradinaj për hetim të pavarur e ndërkombëtar”, tha Kurti gjatë kësaj konference.
Deri më tani, janë lejuar mjetet për hetim, por jo edhe vetë leja e mjekësisë ligjore nga Lozana të cilën e ka përzgjedhur vetë familja e Astritit. Kurti gjatë konferencës ka rikujtuar rrethanat në të cilat aktivisti Astrit Dehari gjeti vdekjen, e po ashtu mungesën e provave dhe fakteve me rastin e arrestimit më 29 gusht 2016. Po ashtu, Kurti gjatë kësaj konference ka përmendur edhe deklaratën e mëhershme të cilën asnjëherë nuk e ka sqaruar të kryeparlametarit Kadri Veseli “Kujdes po e vrani vetën” drejtuar opozitës, deklaratën e ngutshme të kryeprokurorit të Gjykatës Themelore në Prizren, Sylë Hoxha se Astrit është vetëvrarë, ende pa u kryer asnjë hetim, e po ashtu vdekjen e të burgosurit Naser Makolli më 4 pril 2017, i cili ishte në dhomë me Astritin dhe dëshmitar i këtij rasti.
Kurse deputeti Glauk Konjufca përmendi edhe kërkesat e tjera nga marshi protestues që kanë të bëjnë me shkarkimin nga pozitat të këtyre zyrtarëve shtetërorë:
Dhurata Hoxhës, (ish-ministre e Drejtësisë, tani Ministre e Integrimit),
Shpend Maxhunit, (drejtor i përgjithshëm i Policisë),
Nexhmi Krasniqi (Komandant i Policisë Rajonale në Prizren),
Fatos Makollit (Drejtor i Njësisë Kundër Terrorizmit),
“Ndërkaq, nga Këshilli prokurorial i Kosovës kemi kërkuar që deri me 5 shkurt 2018 të shkarkojë nga çdo funksion brenda sistemit te drejtësisë në Republikën e Kosovës tre prokurorë: Sylë Hoxhën, (ish-Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, tash prokuror i Prokurorisë special të Kosovës) Metush Birajn, Prokuror i Prokurorisë themelore të Prizrenit i ngarkuar me rastin e Astrit Deharit, Adbdurrahman Islami, Prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës i cili ka udhëhequr përndjekjen e Astrit Deharit dhe të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për sulmin mbi ndërtesën e Kuvendit”, ka thënë ai.
Konjufca ka përmendur dhjetëra institucionet dhe organizatat ndërkombëtare që kanë kërkuar hetim të pavarur për rastin e Astrit Deharit, për të shtuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe aktivistët e saj nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për Astritin.