Policia e Kosovës vazhdon aktivitetet e saj në zbatim të planit operativ që ka të bëjë me parandalimin e përhapjes së pandemisë, respektivisht realizim të vendimeve të institucioneve të vendit karshi përhapjes së pandemisë.
Aktivitete policore në këtë drejtim kanë vazhduar edhe dje nga zyrtarë policorë të të gjitha stacioneve policore të vendit.
Zyrtarë policorë, kanë patrulluar pos në hapësira të hapura (rrugë, sheshe), kanë mbikëqyrur zbatimin e masave kundër pandemisë edhe në lokale afariste, biznese, qendra tregtare, lokale hoteliere (të gastronomisë) dhe po ashtu kanë ndaluar e kontrolluar edhe mjete të transportit publik (autobusë). Në shumicën e aktiviteteve të sipërpërmendura, zyrtarët policorë i kanë kryer këto aktivitete në bashkëpunim dhe në koordinim me inspektorë kompetent.
Policia, pos vërejtjeve të dhëna për persona fizik e juridik, bazuar në Ligjin Anti-COVID ka shqiptuar edhe gjoba për shkelësit e këtij ligji që njëkohësisht bijën ndesh edhe me vendimet e institucioneve që janë në zbatim për parandalim të përhapjes së pandemisë. Kështu, gjatë ditës së djeshme janë shqiptuar 393 gjoba në nivel vendi, më shumë prej tyre janë shqiptuar në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Prizrenit.
“Duke qenë se pandemia është prezent në mesin tonë, duke parë situatën në rajon dhe duke pasur parasysh ardhjet për festat e fund-vitit të bashkatdhetarëve, duke mbajtur në vëmendje masat që janë në fuqi, policia apelon tek të gjithë qytetarët që këto masa të respektohen, të mbajmë shifër të ultë të të infektuarve, të mbrojmë shëndetin dhe njëkohësisht të mënjanohen gjobat për shkelësit e ligjit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /2LONLINE/