Komuna e Vitisë, konkretisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencës (DSHPE), ka zhvilluar serish një inskenim të një tërmeti dhe evakuimin e nxënësve dhe personelit të shkollave, por kësaj radhe në Pozheran.
Me këtë rast kanë marrë pjesë edhe institucione të tjera nga AME-ja, QKMF, policia e Kosovës, Njësia e Zjarrfikësve, Kryqi i Kuq etj.
Qëllimi i këtij ushtrimi ishte ngritja e shkathtësive si dhe vetëdijesimi në fushën e kërkim shpëtimit, evakuimi dhe menaxhimi i situatave aksidentale deri në nivelin e shkallës së mesme të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit dhe subjekteve të tjera.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe i pari i Vitisë, Sokol Haliti, i cili foli për rëndësinë e përgatitjes në situata të tilla.
“Të gjithë duhet të jenë të përgatitur në raste emergjente por shpresoj se rastet të tilla të mos ndodhin asnjëherë”, u shpreh kryetari Haliti.
Nga një fjalë rasti në këtë ngjarje më pas e mbajtën edhe Naser Haziri, nga sektori i Emergjencave në DSHPE dhe Hetem Jakupi, komandanti i Zjarrfikësve në Viti. Përndryshe DSHPE dhe sektori i Emergjencave këtë vit ka mbajtur po ashtu një ushtrim të tillë por në shkollën profesionale “Jonuz Zejnullahu” në Viti. /2LONLINE/