Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin e Odës së Mjekëve të Kosovës shpalli sot rezultatet e zgjedhjet për Kuvendin e kësaj ode.
Kryetari i KQZ për OMK, dr. Shaban Osmanaj, tha se gjatë periudhës dy mujore të organizimit të zgjedhjeve në këtë proces janë angazhuar shumë aktivistë dhe persona që kanë kontribuar në organizimin e këtyre zgjedhjeve të lira, transparente dhe demokratike.
“Për të garantuar përfaqësimin në të tri nivelet e sistemit shëndetësor dhe për të përfshirë edhe sektorët e tjerë, përfshirë këtu dhe atë privat, ne kemi themeluar 68 njësi zgjedhore anekënd Kosovës dhe në këtë proces kemi angazhuar 204 komisionarë të cilët kanë menaxhuar në mënyrë të drejtpërdrejt procesin zgjedhor nëpër njësi zgjedhore”, tha Osmanaj.
Ai tha se, në mbështetje të dispozitave të Statutit, Rregullores për Zgjedhjet e organeve të Odës, Rregullores së Punës së KQZ-së dhe rregullave zgjedhore, në emër të KQZ-së: sot shpall certifikimin e rezultateve përfundimtare të kandidatëve në Zgjedhjet për Kuvendin e OMK-së të mbajtura me 1 dhjetor 2017. Gjithashtu edhe rezultatin e përfshirë në Listën Përfundimtare të Kandidatëve në të cilën përfshihen kandidatët që kanë fituar mandatet për Kuvendin e OMK-së.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Granit Abdullahu tha se MSh do të ofrojë përkrahjen e saj për fuqizimin e këtij institucioni përfaqësues të komunitetit mjekësor, ndërsa kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka përshëndetur kulturën e mirë të krijuar në zgjedhjet e komunitetit mjekësor në Kosovë.
Në zgjedhjet për Kuvendin e OMK-së kanë pasur 2893 mjekë që janë të punësuar dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të tri nivelet e sistemit shëndetësor.
Procesi i zgjedhjes në OMK është mbështetur nga Qeveria Luksemburgut në Projektin KSV/2017, për ndihmën e tyre financiare dhe në ofrimin e ekspertizës ligjore, organizative dhe administrative.