Me rastin e 5 Majit- Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Vitisë, sot është mbajtur një seancë solemne për të përkujtuar të gjithë dëshmorët e rënë të kësaj komune dhe janë vendosur kurora lushësh në varrezat e dëshmorëve në Viti.
Gjithashtu me qenë se kjo ditë përkon me ditën e rënies së dëshmorit, Jonuz Zejnullahu, gjithashtu janë vendosur kurora lulesh edhe në bustin e këtij dëshmori në Shkollën e Mesme Profesionale në Viti, që mbanë emrin e tij.
Seanca solemne për nder të 5 Majit- Ditës së Dëshmorëve të Komunës ës Vitisë, ka filluar sot me një minutë heshtje në shenjë respekti dhe nderimi për të gjithë ata që kanë rënë për liri.
Kurse zv/kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, gjatë kësaj seance solemne potencoi se sot më shumë se kurrë na duhet një dashuri më e madhe për atdheun.
“Sot më shumë se kurrë na duhet një dashuri më e madhe për atdheun, një respekt dhe solidaritet për njëri-tjetrin, një bashkim i forcave tona dhe tejkalim i dallimeve politike për qëllimet madhore të Kosovës. Na duhet punë dhe sakrificë më e madhe për t’u bërë ballë sfidave në përmbushje të synimeve tona” u shpreh zv/kryetari Aliu.
Ai gjithashtu tha se vendi nuk ka kohë për të humbur, sepse shteti dhe shoqëria jonë ka nevojë për përmbylljen e të gjitha reformave që janë nisur duke shtuar se vendit tonë duhet t’i krijojmë një të ardhme të qëndrueshme.
Kurse Qemajl Rexhepi, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Viti, tha se falë mundit dhe sakrificave të dëshmorëve të vendit nëpër etapat e historisë si dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ne mund të festojmë këtë ditë të lirë.
Ai tha se për këtë kontribut të pjesëtarëve të UÇK-së, familjet e dëshmorëve janë krenar dhe porositi që duhet të kihet kujdes të veçantë për familjarët e dëshmorëve në veçanti për fëmijët e tyre.
Përndryshe në homazhet që janë mbajtur për nder të dëshmorëve sot pos përfaqësuesve të komunës së Vitisë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të subjekteve politike, veteranë të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, Policisë, Shëndetësisë, shkollës, Bashkësisë Islame dhe të tjerë. /2LONLINE.com/