Në Viti është mbajtur sot një aktivitet informues mbi projektin e Hartës Zonale Komunale, i organizuar nga USAID dhe Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor. Ky projekt u prezantua nga kompania e kontraktuar INSI, e cila ka përgatitur dokumentin sipas standardeve ligjore dhe teknike.
Në takim morën pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare, grupe të interesit dhe qytetarë të zonës urbane. Takimin e hapi drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Viti, Visar Demiri, i cili theksoi rëndësinë e këtij projekti për planifikimin e qëndrueshëm urban dhe zhvillimin ekonomik të komunës.
Ndërsa, menaxheri i projektit në komunën e Vitisë, Liridon Jonuzi, foli për rëndësinë e hartave zonale, duke i cilësuar ato si instrumente thelbësore për menaxhimin dhe zhvillimin hapësinor të territorit komunal. Përfaqësuesit e INSI-t, gjatë prezantimit, ofruan një pasqyrë të qartë mbi bazën ligjore të hartimit të hartës zonale, duke theksuar kornizën ligjore që e obligon këtë proces, bazuar në dokumente të nivelit ndërkombëtar, qendror dhe lokal. Në pjesën e dytë të aktivitetit, qytetarët dhe përfaqësues të bizneseve patën mundësinë të parashtronin pyetje dhe të diskutojnë rreth përfitimeve dhe sfidave që sjell ky projekt. Përfaqësuesit e INSI-t ofruan përgjigje të detajuara për çdo çështje të ngritur, duke e vlerësuar angazhimin dhe interesimin e komunitetit lokal për këtë proces të rëndësishëm planifikimi.
Projekti i Hartës Zonale pritet të kontribuojë në zhvillimin e koordinuar dhe të qëndrueshëm të komunës, për periudhën 2025-2032 duke garantuar një planifikim më të mirë të zonave urbane dhe rurale. /2LONLINE/