Një hap të madh në karrierën e tij të pasur e ka bërë edhe trajneri i hendbollit nga Gjilani, Fadil Kqiku, i cili ka marrë drejtimin e Bayern Munichut.
Kqiku ka nënshkruar kontratë trevjeçare me mundësi vazhdimi edhe për dy vjet të tjera.
Në një prononcim Kqiku është shprehur shumë i lumtur me këtë kontratë të re.
“Kam nënshkruar kontratë me Bayernin 3+2 vjet në ekipin e parë, konkurrencën e meshkujve në hendboll. Deri më tani ka ecur shumë mirë edhe kontrata është trevjeçare, por nëse kemi suksese, atëherë vazhdohet automatikisht edhe për dy vjet të tjera”, u shpreh Kqiku.
Kqiku ka 20 vjet që është trajner hendbolli në Gjermani, teksa ai ka qenë pjesë edhe e Kombëtares së Kosovës A, por edhe në U-18.
Trajneri gjilanas gjatë karrierës së tij si hendbollist ka luajtur në Kosovë për Bozhurin e Gjilanit, ndërsa në elitën e hendbollit gjerman për TSV Milbertshofen.