Tifozët sllovakë nuk janë të bindur se Slovani i Bratislavës do të kualifikohet në raundin e tretë të Ligës së Evropës. Sipas tyre, kampioni i Sllovakisë do të eliminohet në ndeshjen e kthimit nga Feronikeli në Prishtinë, pavarësisht epërsisë 2:1 nga ndeshja e parë.
Në një sondazh të publikuar në versionin online të gazetës “Pravda”, më shumë se 60 për qind e lexuesve kanë votuar se Slovani nuk do të kualifikohet në raundin e tretë të Ligës së Evropës.
25.7 për qind e tifozëve kanë votuar se besojnë në kualifikimin e Slovanit, 6.2 për qind mendojnë se kualifikimi i Slovanit mund të arrihet vetëm me një trajner të ri, kurse 7.1 për qind e tifozëve nuk kanë dashur të komentojnë fare.
Ndeshja e kthimit mes Feronikelit dhe Slovanit do të luhet të martën (30 korrik) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 18:00.